Build Skills with our trainings

Sign up now!

KE: BE-ja dakordohet për paketën e katërt të masave kufizuese kundër Rusisë

Mar 15, 2022

Komisioni Evropian mirëpret marrëveshjen e sotme të Këshillit për miratimin e një pakete të katërt masash kufizuese kundër Rusisë si kundërpërgjigje ndaj agresionit të saj brutal kundër Ukrainës dhe popullit të saj. Këto sanksione do të kontribuojnë më tej në rritjen e presionit ekonomik mbi Kremlinin dhe do ta gjymtojnë aftësinë e tij për ta financuar pushtimin e Ukrainës. Ato janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.

Masat e dakorduara janë si më poshtë:

Ndalim i plotë i çdo transaksioni me ndërmarrje të caktuara shtetërore ruse në sektorë të ndryshëm – kompleksi ushtarak-industrial i Kremlinit.

Ndalim i importit në BE të produkteve të çelikut aktualisht nën masat mbrojtëse të BE-së, që kapin rreth 3.3 miliardë euro të ardhura të humbura nga eksporti për Rusinë. Kuotat e rritura të importit do të shpërndahen në vende të tjera të treta për kompensim.

Ndalim i gjerë i investimeve të reja në të gjithë sektorin energjetik rus, me përjashtime të kufizuara për energjinë bërthamore civile dhe transportin e produkteve të caktuara energjetike në BE.

Ndalim i eksportit nga BE të mallrave luksoze (p.sh. makina luksoze, bizhuteri, etj.) për t’i goditur drejtpërdrejt elitat ruse. Për më tepër, lista e personave dhe subjekteve të sanksionuara është zgjeruar më tej për të përfshirë më shumë oligarkë dhe elita biznesi të lidhura me Kremlinin, si dhe kompani aktive në zonat ushtarake dhe të mbrojtjes, të cilat po e mbështesin pushtimin me logjistikë dhe materialisht. Ka edhe listime të reja të akterëve aktivë në dezinformim.

Ndalim i vlerësimit të Rusisë dhe kompanive ruse nga agjencitë e BE-së për vlerësim të kredisë, si dhe ofrimit të shërbimeve të vlerësimit për klientët rusë, çka do të rezultonte në humbjen prej tyre të qasjes së mëtejshëm në tregjet financiare të BE-së.

Mohimi i statusit të kombit më të favorizuar për Rusinë

BE-ja, së bashku me anëtarët e tjerë të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), u dakorduan sot t’u mohojë produkteve dhe shërbimeve ruse trajtimin si të kombit më të favorizuar në tregjet e BE-së. Kjo pason njoftimin e të premtes, më 11 mars, nga anëtarët e G7. Kjo do t’i pezullojë përfitimet e rëndësishme që Rusia gëzon si anëtare e OBT-së. Këto veprime kundër Rusisë mbrojnë interesat thelbësore të sigurisë të BE-së dhe partnerëve të saj nën dritën e agresionit të paprovokuar, të paramenduar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës, me ndihmën e Bjellorusisë. Ato janë plotësisht të justifikuara sipas ligjit të OBT-së.

Më shumë Informacion

Marrëveshja e sotme mbështetet në paketat e masave të gjera dhe të paprecedentë që BE-ja ka ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj akteve të agresionit të Rusisë kundër integritetit territorial të Ukrainës dhe mizorive në rritje kundër civilëve dhe qyteteve ukrainase. Si gardian i Traktateve të BE-së, Komisioni Evropian është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të sanksioneve të BE-së në mbarë Unionin.

BE-ja qëndron e bashkuar në solidaritetin e saj me Ukrainën dhe do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke përfshirë mbështetjen shtesë politike, financiare dhe humanitare, thuhet në komunikatën për media e KE-së.

 

Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë/Zëvendës presidentit Josep Borrell për paketën e katërt të masave kufizuese 

Teksa lufta e Putinit kundër Ukrainës dhe popullit të saj vazhdon, kështu vazhdon edhe vendosmëria jonë për ta mbështetur Ukrainën dhe për ta gjymtuar financimin e makinerisë së luftës së Kremlinit. 

Jemi dëshmitarë të një agresioni masiv kundër civilëve, një katastrofe humanitare dhe një sërë mizorish që përbëjnë krime lufte, të cilat po ndodhin në Ukrainë, të kryera nga forcat e armatosura ruse. 

Deri më sot, mund të numërojmë gati 80 fëmijë dhe qindra civilë të vrarë, të plagosur apo të zhvendosur. Me mijëra janë të zhvendosur brenda Ukrainës dhe dy milionë e gjysmë – dy milionë e gjysmë në më pak se dy javë – janë tashmë refugjatë në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo është sa popullsia e disa prej Shteteve tona Anëtare. Dhe, sigurisht, është lëvizja më e madhe e njerëzve që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në tokat evropiane.  

Mariupol dhe qytete të tjera janë nën rrethim brutal. Qytetet e tjera po bombardohen. 

Putin po përpiqet të shkatërrojë Ukrainën. Putin po shkatërron Ukrainën, por po ashtu po dëmton edhe trupat e tij ushtarake, edhe qytetarët e tij. Ushtarët po vdesin me qindra, pasi ky pushtim i pakuptimtë ngeci përballë trimërisë dhe vendosmërisë së luftëtarëve ukrainas të lirisë. 

Dhe, përveç kësaj, Putini po bën kërdinë në ekonominë e Rusisë. Ekonomia e Rusisë po goditet shumë rëndë nga sanksionet tona. 

Komuniteti ndërkombëtar – rreth 40 vende – ka vendosur sanksione si kundërpërgjigje ndaj luftës së Presidentit Putin, dhe ato po e godasin rëndë regjimin e tij. 

Synimi i sanksioneve është të ndalohet sjellja e çartur, çnjerëzore dhe agresive e trupave ruse. Për sa kohë që ai nuk e ndal sulmin mbi Ukrainën dhe popullin ukrainas, ne do të vazhdojmë të miratojmë masa kufizuese. 

Presidentja [Ursula] von der Leyen, Presidentja e Komisionit, sapo i përshkroi masat e reja të BE-së që prekin tregtinë, qasjen në treg, anëtarësimin në institucionet financiare ndërkombëtare, kripto-asetet, eksportet e mallrave luksoze, si dhe targetojnë sektorët e çelikut dhe energjisë. 

Përveç këtyre masave sektoriale, unë po parashtroj propozime për të sanksionuar më shumë individë dhe më shumë kompani që po luajnë rol aktiv ose po mbështesin personat që minojnë sovranitetin e Ukrainës nga qeveria ruse. 

Me këto sanksione, ne do të vazhdojmë të ndjekim oligarkët, elitat e lidhura me regjimin, familjet e tyre dhe biznesmenët e shquar, të cilët janë të përfshirë në sektorët ekonomikë duke siguruar një burim të konsiderueshëm të ardhurash për regjimin. 

Ata janë aktivë në industrinë e çelikut, ofrojnë produkte dhe teknologji ushtarake, ose ofrojnë shërbime financiare dhe investuese. 

Kjo është një tjetër goditje madhore për bazën ekonomike dhe logjistike me të cilën Kremlini ushqen pushtimin dhe siguron burimet për ta financuar atë. 

Dhe ne do të targetojmë më shumë persona, më shumë persona që luajnë rol udhëheqës në dezinformim dhe propagandë – një luftë e vërtetë, një luftë idesh, një luftë narrative – që e shoqëron këtë luftë të neveritshme të Putinit kundër popullit ukrainas. 

Dhe, në mënyrë që të vazhdojmë ta mbështesim ushtrinë dhe popullin ukrainas, unë u kam propozuar gjithashtu, sot këtu në Versajë, liderëve evropianë që të rrisim kontributin tonë nga burimet tona financiare që vijnë nga Instrumenti Evropian për Paqen, duke shtuar edhe 500 milionë euro për t’iu përgjigjur nevojave të mbrojtësve të popullit dhe territorit ukrainas.  

Me këtë, ne rikonfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën. Ne përshëndesim trimërinë e qytetarëve dhe forcave të tyre të armatosura dhe qëndrojmë me ta derisa Putini ta ndalojë këtë luftë pa kuptim.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM