Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës dhe njëherësh ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pati një takim virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
Gjatë bisedës u diskutua për situatën në rajon dhe sigurinë e rajonit pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë. Republika e Kosovës që nga fillimi ka shprehur solidarizimin me Ukrainën dhe popullin ukrainas gjersa pa hezitim ka dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse, duke iu bashkuar BE-së, ShBA-ve dhe botës demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Çështje tjetër për të cilën u diskutua në këtë takim virtual ishte edhe ajo e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, për të cilat kryeministri tha se për t’u mbajtur edhe në Kosovë duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ai u tha ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të Republikës së Kosovës se ne nuk dëshirojmë që t’ia pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit. Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi, u shpreh kryeministri Kurti derisa tha se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.
Gjithashtu, u diskutua edhe për një angazhim më të madh në fushën e diplomacisë ekonomike, duke filluar nga krijimi i kontakteve dhe urave lidhëse për të promovuar potencialin e Kosovës nëpër botë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.