Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se janë bërë një vit i qeverisjes Kurti, një vit paaftësi. Nga kriza e pandemisë, tek ajo e energjetikës e deri tek rritja alarmante e çmimeve – Qeveria Kurti ka vendosur t’i braktisë qytetarët dhe në betejën e tyre me përballueshmërinë, të sillet si vështruese e krizave. Ajo ka dështuar të reagojë me kohë; siç ka refuzuar të ndërmarrë masa adekuate që do të zbusnin secilën krizë.
Përgjatë 12 muajve të shkuar, kjo qeverisje është përcjellë me popullizëm, arrogancë, arsyetime tek e shkuara e mungesë të qartë të vizionit zhvillimor për Kosovën. Është përcjellë dhe me braktisje të kauzave fondamentale të ngritjes në pushtet; siç është përcjellë me braktisje të halleve e nevojave të qytetarëve në secilën krizë me të cilën është ballafaquar për një vit.
Kjo qeveri, në paaftësinë e saj vepruese për qytetarë, megjithatë ka qenë e aftë të kapë borde, kompani publike e institucione të pavarura me të afërm e familjarë. Kapja e këtyre institucioneve jetike për funksionalizimin e shëndoshë të shoqërisë, ka rezultuar të jetë fatale në secilin ballafaqim me krizë.
Në politikë të jashtme, kjo qeveri është karakterizuar nga skandale me dëme të pa riparueshme për pozitën e vendit – me komunikime të turpshme e amatoreske dhe diskurs jo adekuat diplomatik. Mbi të gjitha, është karakterizuar me mungesë të takimeve të rëndësishme në nivel ndërkombëtar; përjashto takimet e forumeve të përbashkëta me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Izolimi i Kosovës po merr formë çdo ditë; dhe në rrethanat e reja gjeopolitike, mosaktivizimi i Qeverisë tonë është humbje e jashtëzakonshme e mundësisë. Në dialog, kjo qeveri ka treguar mospërgatitje të plotë profesionale e të përkushtimit. Përtej ndryshim-qëndrimeve themeltare të saj, ajo ka kaluar nga mosprioritizimi i dialogut si orientim, drejt e në transformimin teknik të tij; duke vendosur në rend të dytë kështu nevojën për marrëveshje përfundimtare drejt njohjes reciproke e hapjes së dyerve të Kosovës në integrimet euroatlantike.
Në politikën e brendshme, Qeveria Kurti ka qenë sa arrogante aq edhe konfliktuoze. Në secilën përfshirje të saj, në drejtësi, sindikata, trupa të pavarur e me vet spektrin politik në vend, kjo qeveri ka dështuar të sigurojë konsensusin minimal për një demokraci të shëndoshë e prosperuese. Tendencat e saja kontrolluese prej pushtetit absolutist, janë përcjellë me sulme edhe ndaj medieve e ndaj fjalës së lirë.
Dëshpërimi qytetar me një qeverisje të tillë, përtej zërit votues në zgjedhjet lokale të 17 tetorit e 14 nëntorit, është përcjellë dhe me largim masiv të qytetarëve tanë, të të rinjve e të rejave, profesionistëve e punëtorëve nga Kosova. Rreth 55% e qytetarëve tanë, konsiderojnë largimin nga Kosova; dhe ky fakt duhet të na shqetësojë të gjithë, thuhet në komunikatën për media e LDK-së.