Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar si të paaftë, jokompetente dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, qeverisjen një vjeçare të Albin Kurtit.
“Ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjeshtë përformanca e dobët në realizimin e objektivave të saj. Karakteristika themelore e kësaj qeverie të paaftë, është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, lideri i PDK-së ka thënë se këto janë konstatime të bazuara në të dhëna reale, në kohë reale dhe në pasoja reale, që kanë shënuar fotografinë e qeverisjes nga marsi i 2021-tës deri në mars të 2022-tës.
“Si rezultat i kësaj paaftësie, Republika e Kosovës për një vit qeverisje të Kryeministrit Kurti, nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”, ka shtuar ai.
Madje, sipas Krasniqit, ka ndodhur krejt e kundërta, ku si pasojë e regresit dhe stagnimit që ka karakterizuar këtë vit të qeverisjes, qytetarët e Kosovës kanë filluar të mos shohin më as të ardhme e as në atdheun e tyre.
“Programi i qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh. Aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh. Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por program të qëndrueshëm që vendosë hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur”, ka shtuar ai.
Sipas tij, ka vetëm disa elemente programore, të cilat në fakt, sot na shërbejnë më së miri për ta parë e për ta matur paaftësinë e kësaj qeverie në zbatimin e programit.
“Ka premtuar themelim të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Sot nuk është në agjendë. Në vend të kësaj mund të flasim vetëm për keqmenaxhimin e pandemisë, për shkurtimin e buxhetit për shëndetësi në kohë pandemie, për kontrata të dyshimta dhe për mungesë strategjie e vizioni për shëndetësi. Ka dështuar në ekonomi, ku sot numri i të papunëve është rritur shumë, numri i të papunëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë largimin nga Kosova është rritur jashtëzakonisht shumë, çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, ndërsa të vetmet që sjanë rritur janë prodhimi, eksporti dhe punësimi dhe pagat”, ka thënë Kryetari i PDK-së.
Krasniqi ka përmendur edhe shifrat e frikshme të muajit dhjetor e janar, ku kshim rreth 100 mijë të rinj e të reja që prisnin vizën për tu larguar nga Kosova.
Ndërkaq, në një listë të gjatë, Krasniqi ka thënë se kjo Qeveri ka dështuar edhe në në depolitizim të institucioneve, realizimin e vetingut në drejtësi e prokurori, polici dhe inteligjencë, zbatimin e programit për banim të përballueshëm, themelimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore, ndërmarrjen e hapave konkret për caktimin e pagës minimale, rritjen flagrante të energjisë dhe çmimeve etj.
Sipas Krasniqit, kryeministri Kurti ka ardhë në pushtet duke e shtruar politikën si ngjarje transformuese, a në fakt për një vit, jo vetëm që s’ka transformuar asgjë, por është konvertuar në një politikan procedural pa kurrfarë vizioni politik e shtet ndërtues.
Krasniqi ka numëruar edhe dështimin e Kurtit në procesin e dialogut i cili po rrezikon që që të realizoj Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërkaq e ka quajtur skandaloze politikën e jashtme.
“Një vit i plotë, kur asnjë hap, as vendim, as veprim, as lobim nuk është ndërmarrë, qoftë për njohje të reja të shtetit të Kosovës, qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka përmendur edhe refuzimin e gazit amerikan, si një nga vendimet më regresive që janë marrë në emër të institucioneve të Kosovës në dy dekada.
“Ne si opozitë, si Parti Demokratike, jemi përpjekur të jemi një opozitë konstruktive, duke votuar e mbështetur qeverinë në çështjet e interesit shtetëror dhe karakterit shtetëror. Kontribut jemi përpjekur të japim edhe përmes ballafaqimit të qeverisë me realitetin e qytetarëve, në Kuvend përmes debateve parlamentare, si një kambanë alarmi për ritmin e ngadaltë dhe degradimin e qeverisjes. Dhe do vazhdojmë të japim kontribut në çështjet e interesit e karakterit shtetëror edhe më tutje”, ka thënë Krasniqi.
Në fund, lideri i PDK-së ka thënë se kjo performancë e dobët, e pasigurt, pa plan e me protagonizëm, pa vizion e me aventura, rrezikon ta thellojë edhe më tej rëndimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe vetë perspektivën e shtetit tonë, thuhet në komunikatën për media e PDK-së.