Në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj sot është pritur në takim nga ministri i Inteligjencës së Izraelit, Elazar Stern.
Me këtë rast, ai falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e thellë për shtetin e Izraelit për mbështetjen e vendit tonë në përgjithësi, si dhe gatishmërinë për mbështetje edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Në vazhdim, dy ministrat diskutuan për kërcënimet dhe rreziqet që cenojnë mjedisin aktual të sigurisë globale, si dhe përvojat e mbikëqyrjes së politikave që ndërlidhen me funksionimin e komponentës së inteligjencës shtetërore në mbështetje të sigurisë kombëtare.
Në fund, ata u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës në mes dy vendeve tona, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.