Forumi Ekonomik i Grave (WEF) në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Iniciativa për Stabilitet në Kosovë (IKS) organizuan diskutimin për Ligjin e punës, me fokus në dispozitat të cilat rregullojnë lejen e lehonisë dhe lejen prindërore, për të punësuarit.
Besa Luzha nga fondacioni “Friedrich Ebert”, ndonëse tha se ka pasur një tentim për të lehtësuar qasjen e gruas në tregun e punës, kjo nuk ka ndodhur.
“Ka pasur përpjekje prej Qeverive për me mundësu një qasje më të mirë të gruas në tregun e punës. Mirëpo rrethanat kanë sjellë një status-quo ndaj kësaj çështje. Këto organizata edhe vitin e kaluar kanë punuar në këtë drejtim. Gjatë vitit të parë të Qeverisjes Kurti kemi pritur një përkrahje në këtë drejtim”.
Saxhide Mustafa nga Forumi Ekonomik i Grave, tha se një nga barrierat që gratë e kanë është diskriminimi dhe mungesa e një ligji të favorshëm.
“Që nga viti 2017 u pa që njëra nga barrierat që gratë janë jashtë vendit të punës diskriminoheshin për ligj të pafavorshëm për leje të lehonisë dhe leje prindërore. Nisur nga kjo ne konsiderojmë se këto dispozita kërkojnë vëmendje të lartë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës sepse kemi të bëjmë me gjysmën e popullësisë pa zhvillimin e së cilës nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shumë gra u diskriminuan që nga intervistat për punë duke u pyetur për planifikimin familjar. E shumicës iu ndërprenë kontratat e punës”.
Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se Ligji i punës i cili është në fuqi prej vitit 2012 në fakt tërthorazi lejon diskriminimin e grave. Ajo dha hollësi për propozimin e modelit të ri.
“Ajo që ne rekomandojmë si forum bashkë me FES dhe IKS është që në gjashtë muajt e parë të lejes të konsiderohet si leje e lehonisë për nënën. Në periudhën e parë të lehonisë, babai të ketë të drejtën të gëzojë një muaj të pushimit të lejes së atësisë e paguar, që mund të merret para apo pas lindjes së fëmijës. Përveç kësaj, gjashtë muajt në vijim duhet të konsiderohen si leje prindërore për të inkurajuar marrjen e barabartë të lejes nga të dy prindërit. Në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian mbi balancën punë-jetë, një muaj duhet të merret nga babai edhe është i pa transferuar, nuk mund të transferohet te nëna. Gjatë tre muajve të fundit, janë paraparë pa pagesë, të paktën një nga tre muajt duhet të merren nga babai edhe nuk mund t’i transferohen nënës”.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Klit Shala u zotua se janë duke punuar me prioritet për hartimin e këtij ligji.
“Rishtazi është themeluar grupi punues dhe pritet që në kuadër të afateve ligjore të përcillet edhe për konsultim publik projektligji i cili do të draftohet nga grupi punues. Sigurisht direktiva e prezantuar këtu do të merret parasysh dhe përkon me planin kombëtar të zbatimit të MSA-së”.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku kërkoi që para se të flitet për lejen prindërore, duhet të flitet për mirëqenien e fëmijës.
“Ne gjithmonë duhet të flasim për mirëqenien e fëmijës dhe këtu është ai obligimi kur u tha nëse e merr barrën shoqëria por i prin qeveria. Ne investojmë në shëndetin dhe mirëqenien e një fëmije, kur flasim për këtë temë gjithmonë duhet të flasim në këtë pikënisje. Ne kemi qenë edhe si deputete shumë të zëshme kundër kësaj tendence që të bëhet ndarja e puhimit të lehonisë kinse me një ligj të veçantë. Por kjo duhet të rregullohet me ligjin e punës”.
Edhe kryetarja e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, Tinka Kurti, theksoi gatishmërinë e këtij grupi për të marrë pjesë fuqishëm dhe për të dhënë kontribut në këto diskutime që ndikojnë direkt në mirëqenien e fëmijës, nënës dhe të gjithë familjes.
Gjatë debatit u theksua se shteti duhet t’i ofroj mbështetje më të madhe sektorit privat për të lehtësuar barrën financiare të këtij sektori. Poashtu u nënvizua se diskutimi i sotëm shënon vetëm fillimin e debatit për këtë temë por ky model i prezantuar është minimumi që duhet të ofroj qeveria.
Në fund të debatit u konstatua se kemi nevojë për më shumë gra në tregun e punës pa diskriminim, na duhet konsensus shoqëror që fokusi te jete tek fëmija, familja dhe shëndeti dhe se duhet të mendohet se cili do të jetë modeli më i lehtë i tranzicionit nga Ligji aktual në modelin e ri, thuhet në komunikatën për media e SHE Solutions.