Pas 23 vitesh nga Masakra në Krushë të Vogël, janë rivarrosur sot mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, që ishin vrarë e zhdukur nga forcat e armatosura serbe në këtë masakër, më 26 mars 1999.
Në ceremoninë e varrimit mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, gjatë luftës, Andin Hoti.
Sot, përveç para atyre që s’janë më, përkulemi edhe para forcës suaj, të mbijetuarve të kësaj masakre, për të ngritur jetë mbi zbrazëtinë dhe hirin që gjetët kur u kthyet pas tre muajsh në fshatin tuaj, u tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, banorëve të mbijetuar të Krushës së Vogël.
Para 23 vitesh, forcat serbe ndanë gjakftohtësish familjet, ndalën burrat dhe djemtë dhe i dëbuan nga fshati të gjitha gratë dhe fëmijët. Në këtë masakër u vranë 112 shqiptarë, 70% të burrave dhe djemve të fshatit të moshës nga 13 deri në 77 vjeç, u zhdukën. Nga kjo masakër 82 gra humbën bashkëshortët e tyre e 145 fëmijë mbetën pa baballarë. Ndërsa nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb.
Duke folur për këtë masakër që kishte filluar një ditë pas intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndalur gjenocidin e regjimit të Beogradit, kryeministri tha se në vitin 1999 çdo ditë hapeshin varre për shqiptarët civil të paarmatosur, që vriteshin, masakroheshin e digjeshin në shtëpitë e tyre.
23 vite pas, sot po hapen edhe 7 varre në tokën e Kosovës, për viktimat e këtyre krimeve gjenocidale, që vazhdojnë të mohohen nga Serbia, tha Kryeministri Kurti.
Në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në fshatin Krushë e Vogël, sot u varrosën shtatë viktimat e masakrës, e që ishin në Listën e personave të zhdukur gjatë luftës: Nuredin (Qazim) Shehu, viti i lindjes 1927, Hysen (Maxhun) Zylfiu, viti i lindjes 1935, Ahmet (Manush) Berisha, viti i lindjes 1938, Nue (Shyt) Prenkaj, viti i lindjes 1960, Sami (Aziz) Shehu, viti i lindjes 1974, dhe Skyfer (Osman) Batusha, viti i lindjes 1981, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.
Sot po i nderojmë këta 7 burra e djemtë të këtij vendi, të cilët po rikthehen në tokën e tyre. Në Krushën e vogël, të dhimbjes së madhe.
Para 23 vitesh, forcat serbe ndanë gjakftohtësish familjet, ndalën burrat dhe djemtë dhe i dëbuan nga fshati të gjitha gratë dhe fëmijët.
Burrat e djemtë i grumbulluan në shtëpi e i vranë me breshëri plumbash. Të shtënat e armëve të zjarrit u dëgjuan në të gjithë këtë zonë. Veç shpirti juaj e din dhimbjen e asaj dite dhe gjurmët e pandreqshme e të përjetshme që ka lënë te ju.
112 shqiptarë u vranë në këtë masakër. 70% e burrave dhe djemve të fshatit, të moshës nga 13 deri në 77 vjeç u zhdukën. 82 gra humbën bashkëshortët e tyre e 145 fëmijë mbetën pa baballarë.
Sot, përveç para atyre që s’janë më, përkulemi edhe para forcës suaj, të mbijetuarve të kësaj masakre, për të ngritur jetë mbi zbrazëtinë dhe hirin që gjetët kur u kthyet pas tre muajsh në fshatin tuaj.
Nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb. Aksion ky që kishte filluar një ditë pas intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndalur gjenocidin e regjimit të Beogradit.
Çdo ditë hapeshin varre për shqiptarët civil të paarmatosur, që vriteshin, masakroheshin e digjeshin në shtëpitë e tyre. 23 vite pas, sot po hapen edhe 7 varre në tokën e Kosovës, për viktimat e këtyre krimeve gjenocidale, që vazhdojnë të mohohen nga Serbia.
Të dashur të pranishëm,
Historia e shtetit tonë nuk mund të shkruhet pa Krushën e Vogël e Krushën e Madhe. Nuk mund të shkruhet pa adresimin e dhimbjeve e tmerrit të përjetuar. Dëmeve e vuajtjeve të shkaktuara.
Historia jonë është e shkruar me mbi 400 masakra të kryera gjatë viteve 1998 dhe 1999 në Kosovë.
Kjo histori nuk mund të rishkruhet e as të harrohet.
Asnjëherë të ndryshohet.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Nuredin Shehun, Hysen Zylfiun, Ahmet Berishën, Nue Prenkajn, Sahit Shehun, Sami Shehun e Skyfer Batushën.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!