NPL “Hortikultura” me kërkesë të Komunës së Prishtinës përkatësisht të Drejtorisë së Parqeve, deri me tani ka përfunduar pastrimet fito sanitare në të gjithë qytetin e Prishtinës. Në kuadër të pastrimit fito sanitar është edhe dhënia e formës së drunjtëve dekorativ gjegjësisht kurorës se tyre, prerja e degëve të thara dhe të thyera si dhe degëve potencialisht të sëmura.
Gjatë pastrimit fito sanitar rëndësi të veçantë i është dhënë kërkesës së bërë nga Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Parqeve. Degët të cilat janë krasitur janë bartur në lulishten e kësaj ndërmarrje.
Qëllimi i krasitjes është bazuar në aspektin sanitar-estetik, ruajtja e ekuilibrimit të organeve nëntokësore dhe mbitokësore të bimëve, që konsiston në baraspeshimin e marrjes së ujit dhe materieve ushqyese dhe shpenzimit të këtyre materieve nga vetë bima.
E gjitha kjo bëhet në drejtimin e ruajtjes se gjendjes se përgjithshme shëndetësore të vet bimës.
Secila bimë i ka kërkesat dhe nevojat sipas gjendjes së vet habitusit të saj, e konform kësaj kryhen edhe operacionet e krasitjes, thuhet në komunikatën për media e Komunës së Prishtinës.