Organizata Iniciativa për Progres (INPO), në kuadër të projektit “Kërko Drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë”, me mbështetje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), sot nëpërmjet konferencës për media ka publikuar raportin me titull “Procesi i prokurimit dhe menaxhimi i kontratave në njëzetë (20) komuna të Republikës së Kosovës”.
Qëndrim Arifi, Hulumtues i lartë në INPO, potencoi se rezultatet e hulumtimit tregojnë se përkundër që është obligim ligjor e profesional që aktivitetet e iniciuara të jenë të parashikuara me plan të prokurimit, autoritetet kontraktuese vazhdojnë që të shkelin këto dispozita ligjore. Të dhënat tregojnë se nga njëzetë (20) komunat e monitoruara, katërmbëdhjetë (14) nga to kanë iniciuar aktivitete të paplanifikuara. Rezultatet e hulumtimit gjithashtu tregojnë se komunat në masë të madhe janë duke e aplikuar mundësinë ligjore të shkurtimit të afateve për pranimin e tenderëve, ani pse arsyet janë të pabazuara në ligj dhe të pajustifikueshme. Në fakt dhjetë (10) nga njëzetë (20) komunat e monitoruara kanë shkurtuar afatet për pranimin e tenderëve dhe rezultatet kanë qenë se ofertat e operatorëve ekonomik kanë qenë në numër shumë më të vogël se sa mesatarja në një procedurë me afate të rregullta.
Tutje, Arifi theksoi se të gjeturat e hulumtimit tregojnë se këto kërkesa të kundërligjshme i kanë aplikuar Komuna e Gjilanit, Prishtinës, Suharekës dhe Vitisë. Hulumtimi vë në pah situatat kur komunat janë duke e keqpërdor procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, procedurë kjo e lejuar vetëm në raste të urgjencave ekstreme, ndërsa pabazë të mjaftueshme ligjore kjo procedurë është aplikuar nga Komuna e Dragashit, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Podujevës dhe Shtimes.
Hulumtuesi i INPO-s, Diell Haxhimusa potencoi se pjesë e rëndësishme e hulumtimit ka qenë edhe ajo se vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomik a bëhet në bazë të kritereve më të larta ligjore dhe profesionale. Të dhënat dëshmojnë se në disa raste vlerësimi i ofertave nuk ka qenë profesional dhe si pasojë e joprofesionalizmit tenderi në fjalë është dashur të ri-vlerësohet apo anulohet pas kërkesës për rishqyrtim dhe ankesës së OE-së në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Tutje, Haxhimusa sqaroi se monitorimi i procesit të prokurimit, përfundon duke pasqyruar një dukuri shumë të dëmshme e cila rezulton në atë se autoritetet kontraktuese eliminojnë operatorët ekonomik të cilët ofrojnë çmimin më të lirë, me pretekstin se të njëjtit janë të papërgjegjshëm. Rezultatet e hulumtimit tregojnë se këtë veprim e kanë bërë Komuna e Gllogocit, Gjakovës, Kaçanikut, Prishtinës dhe Rahovecit.
Ndërsa, sa i përket aspektit të menaxhimit të kontratave hulumtuesi i INPO-s, shpjegoi se rezultatet e hulumtimit tregojnë se Komuna e Ferizajt, Kaçanikut, Suharekës dhe Vitisë kanë mangësi në përpilimin e Planit të Menaxhimit të Kontratës, përkatësisht këto plane nuk i përmbajnë të dhënat minimale të kërkuara me ligj.
Komuna e Ferizajt, Kaçanikut, Mitrovicës së Veriut, Shtimes dhe Vitisë, pas hulumtimeve të INPO-s, rezulton që kanë ekzekutuar pagesa në kundërshtim me afatet ligjore, përkatësisht pagesat i kanë ekzekutuar më vonë se sa afati tridhjetë (30) ditor i paraparë me ligj. Në kuadër të menaxhimit është hulumtuar edhe ajo se a përmbushen kontratave brenda afateve kohore të kontraktuara, ndërsa rezultatet tregojnë se në trembëdhjetë (13) nga njëzetë (20) komunat e monitoruara, punët nuk përfundohen brenda afateve kontraktuale, ndërsa ka raste kur ato zgjasin shumëfish më gjatë.
Monitoruesja e INPO-s, Arbenita Topalli, theksoi se si pjesë e pashmangshme e menaxhimit të kontratës, INPO ka aplikuar edhe daljen në terren, përkatësisht vizita në vendin e ekzekutimit të kontratave. Gjatë vizitave në terren në tri (3) kontrata të cilave koha e implementimit të përmbushjes ju ka skaduar, punëtorët nuk janë hasur në vend punishte. Bëhet fjalë për Komunën e Gllogocit, Kaçanikut dhe Prishtinës, ndërsa punëtorët nuk janë hasur as në vendin e ekzekutimit të kontratës në Ferizaj dhe Gjakovë, sidoqoftë në këto dy (2) kontrata koha e implementimit ende nuk ka skaduar.
Sipas Topalli, dalja në terren ka dëshmuar se komunat ekzekutojnë pagesa pa përfunduar punët si dhe ekzekutojnë pagesa edhe përkundër që furnizimet, shërbimet apo punët i kanë pranuar në kundërshtim me kontratë dhe paramasë. Në fakt të gjeturat rezultojnë se Komuna e Ferizajt, Kaçanikut dhe Suharekës, kanë ekzekutuar pagesa pa pranuar furnizimin, shërbimin apo punën e caktuar, përkatësisht kanë pranuar punën në kundërshtim me paramasën. Monitorimi në terren ka shpërfaqë gjithashtu edhe cilësinë e dobët të punëve të realizuara, nga vizita e projekteve të përfunduara dhe atyre që janë në proces, INPO ka evidentuar cilësi të dobët të punëve në Komunën e Ferizajt, Klinës, Rahovecit dhe Shtimes.
Në fund Topalli rekomandoi që komunat aktivitetet e iniciuara t’i kenë të planifikuara, të përdorin procedura të hapura të prokurimit, të mos parashtrojnë kërkesa diskriminuese dhe favorizuese dhe vlerësimi i ofertave të bëhet në mënyrë profesionale.
Komunat të sigurohen që nuk ekzekutojnë pagesa pa përfunduar punët si dhe të kujdesen që furnizimi, shërbimi dhe puna e kontraktuar të jetë konformë paramasës dhe kushteve të kontratës.
Konferenca përfundoi me rekomandimin që komunat të kujdesen se furnizimet, shërbimet dhe punët e pranuara nga operatorët ekonomik të jenë cilësore dhe në rast se ndodh e kundërta të aplikojnë masat ndëshkuese ndaj operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm, thuhet në komunikatën për media e INPO-s.




