Në Ministrinë e Mbrojtjes, sot u mbajt ceremonia e transferimit të autoritetit të Drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-së, respektivisht drejtorit në shkuarje, Gjeneral Jörg Rüter te drejtori në ardhje i NALT-it, Gjeneral Joachim Hoppe.
Enkas për këtë ceremoni, e pranishme ishte edhe Shefja e Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, autoritet ky të cilit i subordinohet NALT-i.
Me këtë rast, të pranishmëve të shumtë vendor dhe ndërkombëtar, me fjalime u adresuan Viehe, ministri Mehaj, gjeneral Rüter dhe gjeneral Hoppe.
Sikur Znj. Viehe edhe Ministri Mehaj, vlerësuan lart lidershipin e Gjeneral Rüter, gjatë mandatit të tij, në cilësi të drejtorit të NALT-it.
Ministri Mehaj theksoi konkretisht rezultatet e arritura në fusha të ndryshme në funksion të ndërtimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Nga ana e tij Gjeneral Rüter, shprehu përshtypjet më të mira për të arriturat e deritashme të Ministrisë dhe FSK-së, nivelin e lartë të bashkëpunimit të tij me Ministrin Mehaj dhe Gjeneral Jasharin, si dhe gjithë stafin të tij me autoritetet tjera vendore.
Në vazhdim, Viehe, Mehaj dhe gjeneral Jashari i ndanë medaljet e tyre zyrtare gjeneralit Rüter, me motivacionin më të lartë për shërbimin e shquar , lidershipin profesional dhe angazhimin vetëmohues.
Pas programit artistik me pika të zgjedhura muzikore nga Orkestra Frymore e FSK-së, u mbajte edhe akti ceremonial i transferimit të autoritetit në mes dy gjeneralëve.
Në fund, pas pranimit të autoritetit, të pranishmëve iu adresua, gjeneral Hoppe, i cili shprehu gatishmërinë e tij dhe vullnetin e plotë, për të vazhduar sukseset e pararendësit të tij.
Gjithashtu, ai theksoi se bashkëpunimi dhe koordinimi i mirë dhe sistematik në mes ekipit të tij dhe autoriteteve të Ministrisë dhe FSK-së do të jenë prioriteti kryesor gjatë mandatit të tij, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.




