KMDLNj edhe më herët ka reaguar kundër keqpërdorimit të fjalorit nga bartës të posteve publike, qofshin ata deputetë apo ministra, me qëllim që të përdoren si “mjet lufte politike “duke theksuar se kanë përgjegjësi publike për deklaratat e tyre dhe se janë nën “vëzhgim“ të publikut të cilin me papërgjegjësinë e tyre e ndajnë skajshmërisht, kryesisht në aspektin negativ.
Linçimi publik përmes fyerjeve dhe akuzave të paargumentuara është në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut e që dhunon apo ia humb kuptimin lirisë së fjalës dhe lirisë së shprehjes.
Në Kosovë thuaja është bërë standard i pranueshëm përdorimi i fjalorit përjashtues dhe fyes ndaj kundërshtarëve politikë apo atyre që e shprehin një mendim të kundërt me fyesin. Në komunikimin në Kuvendin e Kosovës fjalët kriminelë, hajvanë, lopë, vrasës, injorant, zhvatës, tradhëtarë etj., thuaja ishin dhe janë shndërruar në një fjalor të pranueshëm dhe askush dhe asnjëherë nuk është sanksionuar për përdorimin e këtyre cilësimeve, jo që janë vetëm në shpërputhje me fjalorin që do të duhej të përdorej në Kuvend por edhe në shpërputhje me moralin njerëzor, politik, moral etj.
Realisht, në përpjekje për të eliminuar kundërshtarët politikë dhe të gjithë ata që nuk pajtoheshin me këto cilësime të politikanëve të papërgjegjshëm, kishte kualifikime krejtësisht eksplicite e që nuk lenin dyshime me të cilat është dashur të merreshin organet hetuese dhe gjykatat sepse nëse dikend e akuzoni për vrasje, pa lënë asnjë dyshim atëherë Prokuroria e Shtetit do të duhej të merrej urgjentisht dhe askush nuk do të mund të fshehej prapa një imuniteti në rast se bënë akuza aq eksplicite sikur që bëheshin akuza për vrasje dhe vrasje të kundërshtarëve politikë. Këto akuza, asnjëherë të dëshmuara pastaj janë përdorur dhe keqpërdorur për raportin e Dik Martit dhe nga Gjykata Speciale duke shkaktuar polarizim të madh të shoqërisë kosovare. Është e papranueshme, nga aspekti i të drejtave të njeriut që fjalori denigrues, përjashtues, fyes dhe akuzuas të ndahet në bazë të përkatësisë etnike apo gjinore prandaj kjo qasje jashtëzakonisht e dëmshme duhet të dënohet publikisht dhe të ndiqet përmes rrugëve ligjore.
Kuvendi i Kosovës, për të vendosur një normalitet në komunikim midis deputetëve, midis deputetëve dhe qeverisë, duhet të sanksionojë personat e tillë me përjashtim nga disa seanca ndërsa, në rastin kur ka akuza të rënda sikur ato për vrasje politike dhe të tjera, duhet t’i drejtohet Prokurorisë së Shtetit.
Në të kundërtën, me mosveprim vetëm se do të trimërohen keqpërdoruesit e lirisë dhe shprehjes së lirë, keqpërdorimi i postit politik përmes fshehjes prapa imunitetit dhe dukuritë tjera negative. Cilësuesit e atyre që fyerjen e përdorin në mungesë të argumentit janë recidivistë të shumëfishtë, të identifikueshëm dhe, shkaku se nuk sanksionohen janë të papërmirësueshëm. Kërkimfalja publike për një fyerje apo cilësim e që nuk përsëritet më e ka një kuptim dhe paraqet një pendim mirëpo, në rast se përsëritet atëherë mund të konsiderohet si një qëndrim personal, partiak dhe institucional.
KMDLNj vlerëson se ky komunikim, në kundërshtim me të gjitha standardet morale, njerëzore dhze ligjore duhet të jetë një porosi e qartë për votuesit e mundshëm në të ardhmën që do të duhej të ishin si filtër me të cilën do të eliminoheshin të gjithë ata që e përdorin dhe promovojnë gjuhën e urrejtjes etnike, gjinore, fetare, racore, moshore, statusit në shoqëri, kulturore etj, thuhet në komunikatën për media e KMDLNJ-së.




