Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla bashkë me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë Bledar Çuçi, kanë hapur zyrtarisht pikën e përbashkët të kalimit kufitar mes dy vendeve Krushevë – Shishtavec. Kjo është si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në mbledhjen e dy qeverive dhe është marrëveshja e dytë nga tri sosh që po fillon së zbatuari.
Pika e përbashkët e kalimit kufitar do të jetë e hapur 24/7, në shërbim të qytetarëve, mjeteve dhe bartjen e mallrave jo-komerciale. Ajo do të mundësojë lëvizjen e qytetarëve të shteteve të treta, do të rrisë ekonominë e vendeve do të zhvillojë turizmin në malet e Sharrit, thuhet në postimin e ministrit Sveçla në Facebook.
Mes shumë diskutimesh me ministrin Çuçi, biseduam sot edhe për marrëveshje të reja që mund t’i kemi si Ministri, për të lehtësuar kështu jetën e qytetarëve tanë në të dyja anët e kufirit. Me vullnetin tonë të plotë dhe përkushtimin e ekipeve tona teknike, shumë shpejt do të finalizohet edhe marrëveshja për banorët e brezit kufitar.
Çdo iniciativë për të eliminuar barrierat që mund të hasin shqiptarët do të ketë angazhimin tonë maksimal. Çdo sfidë që mund të hasë Shqipëria, në krah e ka gjithmonë Kosovën. Bashkë ndajmë historinë, sfidat e krenarinë, ka thënë ministri Sveçla.






