E drejta për punë të papengueshme, në rastin konkret të gazetarëve si dhe informimi i drejtë dhe profesional i publikut janë të drejta të njeriut që garantohen dhe mbrohen me të gjitha dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe si të tilla janë të paprekshme dhe të pacenueshme. Çdo veprim, në kundërshtim me këto të drejta të garantuara për KMDLNj janë shkelje flagrante e të drejtave të njeriut ndaj të cilave institucionet që kanë mandat kushtetues që t’i mbrojnë, përveç se që i shkelin, duhet të reagojnë dhe distancohen sikur edhe të marrin veprime ligjore ndaj shpërdoruesve të këtyre të drejtave.
Kohëve të fundit është një përshkallëzim i sulmit ndaj gazetarëve sikur që po bëhet përpjekje që të pengohen në përmbushjen e mandatit që e kanë , informim profesional dhe objektiv të opinionit për zhvillimet në Kosovë dhe rreth Kosovës. Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë ku LVV fitoi mbi 50% të votave ka qenë e pritshme që të krijohet një hapësirë më e madhe kushte më të mira për punë dhe një bashkëpunim partneriteti që mbështetet në korrektësi dhe profesionalizëm midis mediave dhe institucioneve të Kosovës, Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës në nivel qendror sikur edhe me nivelet tjera nëpër komuna e që, për fat të keq nuk ka ndodhur e që është theksuar si ngecje dhe prapakthim edhe në Raportin e Departamentit të Shtetit në kapitullin për lirinë dhe pavarësinë e mediave në Kosovë.
Institucionet e Kosovës, në radhë të parë Qeveria e Kosovës janë shumë të mbyllura në planin e informimit dhe komunikimit me media të cilat janë përçues midis Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës prandaj është krijuar një hapësirë e madhe për keqinformim, dezinformim dhe krijimit të një situate që pasqyrohet sikur një armkiqësi midis mediave dhe institucioneve të Kosovës, në radhë të parë të qeverisë së Kosovës dhe mediave. Në jo pak raste gazetarët kërcënohen me procese gjyqësore, si mjet frikësimi dhe shantazhimi që të disiplinohen sipas “ vijës së partisë dhe të institucionit“. Po bëhen përpjekje të krijohet një raport klientelist, të shantazhohen mediat përmes shkëputjes së përkrahjes financiare e që është përcjktuese për pavarësinë e çdo mediumi, në radhë të parë atij publik sikur edhe mediiave tjera.
I vetmi medium publik, Radio Televizioni i Kosovës po e vazhdon Rrugën e Golgotës, që nga fillimi i punës pas përfundimit të luftës së fundit e deri më tani kur, përkundër spastrimeve të mëdha që janë bërë, nuk vërehet ndonjë ndryshim përveç përpjekjeve flagrante që po bëhet që një ndikim absolut politik në politikën redaktuese të këtij mediumi publik në të kaluarën të zëvendësohet me një ndikim tjetër politik nga forcat politike që e udhëheqin sot Kosovën sipas parimit : “ zhdryp Hyseni që të hypë Hasani …”.
Është e vërtetë që disa media me punën që e bëjnë tejkalojnë standardet profesionale dhe korrektësinë në krijimin e lajmit për opinionin por se ato nuk janë mbizotëruese në Kosovë dhe të gjithë ata që, në një mënyrë apo tjetër preken nga ky dezinformim, kryesisht i qëllimshëm, duhet të drejtohen te institucionet përkatëse e jo ta shfrytëzojnë forcën politike apo institucionale për t’i frikësuar ato siç ishte rasti i ndërhyrjes së dirigjuar policore në disa media, arrestimi i gazetarëve, marrja e incizimeve dhe dëmtimi i mjeteve të punës.
Në një vend apo shtet ku demokracia është e konsoliduar, mediat e pavarura konsiderohen si vlerë e shtuar e demokracisë, kontribues të mbushjes së përmbajtjes demokratike apo, siç, jo edhe vetëm figurativisht konsiderohen si “ Fuqia e Shtatë“. Ndërkaq, në një vend ku demokracia është vetëm mbështjellës i një përmbajtjeje jodemokratike dhe represive, qëllimi i qeverisë apo pushtetit është që mediat, përmes kontrollimit të përgjithshëm dhe selektiv të shndërrohen në “ Kolonë të Pestë “ gjë që në Kosovë nuk duhet të lejohet, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.




