Në kuadër të qëndrimit të tij në Washington këtë javë, ministri i Finacave, Hekuran Murati ka takuar shefen e MCC-së Albright për të diskutuar në lidhje me fillimin e negociatave për Programin Kompakt në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë amerikan.
Ministri Murati ka konfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në realizimin e këtij projekti, si dhe ka treguar gatishmërinë që të përmbushen kushtet dhe kriteret në mënyrë që të mos ketë vonesa gjatë realizimit.
Në anën e saj, Albright ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës dhe ka njoftuar Ministrin lidhur me hapat specifikë që duhet të ndiqen deri në nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të marrëveshjes. Tutje, ajo shtoi se Republika e Kosovës e ka mbështetjen e plotë të MCC-së në rrugën e saj drejt tranzicionit energjetik, si dhe theksoi se ne përveç se jemi partnerë, jemi edhe dy vende mike.
Negociatat për programin priten të fillojnë në fillim të muajit maj, ndërsa programi parasheh investimin më të madh në fushën e energjisë që nga paslufta. Me anë të këtij projekti do të investohet në kapacitete akumuluese dhe do të ngriten kapacitetet njerëzore që do të mundësojnë një tranzicion drejt energjisë së gjelbër.
Ministri Murati bashkë me delegacionin është duke qëndruar këtë javë në Washigton DC për takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, thuhet në faqen zyrtare të MFPT-së.