Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim diplomatin e njohur shqiptar Dashnor Dervishi, i cili shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Me këtë rast, kryetari Konjufca e përgëzoi ambasadorin Dervishi për librin e tij publicistik në dy vëllime “50 vjet marrëdhënie me jashtë”, i cili u promovua mbrëmë në Prishtinë.
Diplomati Dervishi e falënderoi kryetarin e Kuvendit për pritjen e përzemërt dhe i dhuroi një ekzemplar të librit, në të cilin përshkruhet historia e diplomacisë shqiptare dhe puna e tij si diplomat shumëvjeçar.
Në takim u shkëmbyen mendime rreth çështjeve me interes të përbashkët për shtetet tona, me fokus të veçantë domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të hapave përballë zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.