Kryeprokurori i deritanishëm i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ia ka dorëzuar detyrën U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, ku morën pjesë edhe Kryesuesi, zëvendës-kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe U.D. drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Kryeprokurori i deritanishëm Lumezi, i ka uruar suksese dhe mbarësi U.D. Kryeprokurorit Kelmendi, në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore gjatë udhëheqjes së institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Ndërsa, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, ka falënderuar Kryeprokurorin e deritanishëm, Aleksandër Lumezi, për punën, angazhimin dhe profesionalizmin e treguar përgjatë ushtrimit të mandatit kushtetues si Kryeprokuror i Shtetit i Republikës së Kosovës.
Ky pranim-dorëzim vjen pas përfundimit të mandatit kushtetues shtatë (7) vjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015, thuhet në faqen zyrtare të Prokurorit të Shtetit.