Presidentja Vjosa Osmani sot në Prizren iu është bashkuar festës së 23 prillit e njohur në Kushtetutën si Dita e komunitetit turk në Kosovë.
Osmani ka uruar qytetarët e komuniteit turk për këtë ditë dhe i ka falënderuar për kontributin e vazhdueshëm në procesin e shtetndërtimit, thuhet në faqen zyrtare të Zyrës së Presidentes.
Është nder për mua sot, kur Kosova po shënon festën zyrtare të qytetarëve të komunitetit turk në Kosovë – Ditën e Turqve, t’ju drejtohem si presidente e vendit dhe t’ua shpreh respektin tim dhe të institucioneve të Kosovës për rolin dhe angazhimin e bashkësisë suaj në ndërtimin e jetës demokratike të vendit tonë.
Kjo ditë është e veçantë për ju, sepse ua kujton përkatësinë etnike e kulturore, vlerat tuaja, të cilat ju po i krijoni e po i ruani me kujdes, në atdheun tuaj, atdheun tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës, në të cilin diversiteti kulturor, gjuhët dhe identitetet e ndryshme etnike përbëjnë vlerë, të cilën Kosova e kultivon dhe e ruan prej shekujsh.
Por, kjo është një ditë e veçantë edhe për Republikën tonë, sepse dëshmon për karakterin e saj shumë dimensional dhe shumë kulturor të cilën ne e çmojmë si tepër të rëndësishëm për rritën e shtetit tonë, për realizimin e plotë të së cilës harmonia dhe solidariteti mes kulturave e bashkësive etnike janë tepër të rëndësishme.
Në këtë ditë të veçantë tuajën ne duam që jo vetëm që ta shprehim respektin për komunitetin turk por edhe për mënyrën se si kemi ndërtuar bashkëjetesën, bashkëjetesën etnike, gjuhësore e kulturore por edhe ta ndajmë me ju kënaqësinë tonë për jetesën e përbashkët e për të arriturat tuaja si pjesë të rëndësishme e mozaikut kulturor të Kosovës. Diversiteti e ka bërë Kosovën më të pasur dhe më të qëndrueshme kulturalisht falë komuniteteve që jetojnë këtu.
Të dashur përfaqësues të komunitetit turk,
Komuniteti turk në Kosovë është njëra ndër komunitetet më aktive në jetën tonë institucionale, kulturore, sociale, ekonomike e politike. Ajo po i shfaq dita-ditës vlerat e saj dhe ne jemi të lumtur që mund të dëshmojmë së bashku me ju se ka arritje në të gjitha fushat. Sot, ju jeni shndërruar jo vetëm në qytetarë të vlefshëm për Republikën, por edhe kontribuues të mëdhenj të jetës së saj.
Në të njëjtën kohë, me përkushtimin tuaj ndaj vendit, pa e harruar asnjëherë prejardhjen tuaj kulturore e etnike, ju jeni shndërruar në urën të fuqishme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, me të cilën ne kultivojmë marrëdhënie të shkëlqyeshme, të cilat mbështeten në respektin e ndërsjellë.
Të dashur qytetarë!
Ne jemi të vetëdijshëm se komuniteti turk këtu por edhe të gjitha komunitetet kanë nevojë për mbështetje, për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit e kulturës së tyre. Ju siguroj se do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të kujdesemi për kultivimin e vazhdueshëm të kulturës suaj etnike e gjuhësore, sikurse thash, janë vlera të qëndrueshme të jetesës së përbashkët. Përdorimi i gjuhës suaj si gjuhë zyrtare në nivel lokal, shkollimi në gjuhën amtare dhe përkrahja e aktiviteteve kulturore për ruajtjen dhe promovimin e mëtejmë të saj po e marrin vëmendjen gjithnjë e më të madhe të shtetit tonë. Ne do të kujdesemi që kërkesat tuaja të gjejnë përgjigjen e nevojshme institucionale.
Türk toplumu, Kosova’nın ve Kosova halklarının ayrılmaz bir parçasıdır, Kosova’yı tamamlayan bütünüdür. Kosova cumhurbaşkanı olarak ben, bugün sizlerlerle, daha doğrusu bizlerle, Kosova Türklerinin gününü kutladığımız bu günde burada olmaktan onur duyuyorum.
Kardeşliğimizin, birlik ve beraberliğin daim olması dileğiyle, Allah oruçlarımızı kabul eylesin!