Gjatë kësaj jave do të organizohen një numër i ngjarjeve, ku folëse të ndryshme nga sektori i TIK do të flasin për mundësitë që kjo industri u ofron vajzave.
Drejtoresha e Shitjes, Marketingut dhe Operacioneve në kompaninë UCX, njëherit edhe Sekretare e Përgjithshme e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Jeta Zagragja tha se kjo është një industri që me dinamikën dhe kaosin e saj ofron mundësi të zgjidhjes së problemeve dhe se është e rëndësishme të fillohet në moshë të hershme për t’u mbjellë farat e duhura.
“Duke qenë vetvetja dhe duke pasur disiplinë në vendin e punës, mund të arrini çdo herë atë që dëshironi. Ne gratë nuk kemi nevojë për ndihmë dhe nuk kemi nevojë që të na krijohen mundësi, sepse ne ia dalim vetë, dhe ne krijojmë mundësitë tona duke punuar shumë”, tha Zagragja.
Ekspertja e edukimit jo-formal, Ylberina Mala tha se edukimi i vazhdueshëm është shumë i rëndësishëm në këtë industri dhe se përfshirja në të duhet filluar në moshë të re.
“Unë gëzohem që të rinjve sot u ofrohen mundësi për të krijuar aftësi, të cilat nuk ofrohen vetëm në shkollë, por të cilat mund të pasurohen edhe nga edukimi joformal, dhe jam e lumtur që i përkas kësaj fushe që ndikon në edukimin e shumë gjeneratave të reja”, tha Mala.