Policia e Kosovës në një ceremoni të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, ka pranuar një donacion nga Ambasada e Zvicrës me pajisje biometrike për Policinë Kufitare. Pranim- dorëzimi i këtij donacioni u nënshkrua nga drejtori i Departamentit për Kufi, Ragip Bunjaku si dhe Eva Kitzler shefe e ICPMD për Ballkan.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly si dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti të cilët iu drejtuan të pranishmëve me një fjalë rasti.
Ky donacion e dëshmon bashkëpunimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës dhe partnerëve tanë siç është Ambasada e Zvicrës e cila më këtë donacion të pajisjeve të specializuara po ndihmon në avancimin dhe ngritjen profesionale të kapaciteteve të Policisë së Kosovës.
Pajisjet do të shërbejnë në parandalimin dhe identifikimin e migrimit të parregullt si dhe personave tjerë të dyshimtë, e që ndikon edhe në sigurinë e përgjithshme, thuhet në faqen zyrtare të PK-së.