Ceremonia e përmbylljes së garës ndërkombëtare tradicionale “Ushtari më i mirë 2022” u mbajt sot në kazermën e FSK-së ,,Adem Jashari” në Prishtinë. Me këtë rast, ushtari Haxhi Krasniqi, është shpallur “Ushtari më i mirë 2022 i FSK-së” dhe pas tij u radhitën ushtarët Ejdon Mulaku dhe Qëndrim Asllanaj.
Ndërsa, ushtari nga Kandaja, Simon Buies, u shpall ushtari më i mirë ndërkombëtar, i përcjellë nga ushtari amerikan, Jaron Springer dhe ushtari turk, Oliver Verrete.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, theksoi se qëllimi primar i FSK-së në garën e ushtarit më të mirë është rritja e aftësive ushtarake, fitnesit dhe zgjedhja e më të mirit. Ai shtoi se kjo garë një javore, që tashmë është tradicionale, promovon vlerat, profesionalizimin dhe ndihmon pjesëmarrësit të shkëmbejnë përvojat me kolegët e vendeve partnere.
“Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere në këtë garë e dëshmon shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere dhe që FSK është forcë profesionale e disiplinuar, motivuar dhe kontribuuese e sigurisë në regjion dhe me gjerë”, tha ai.
Më tej, zëvendësministri Syla shtoi se Ministria e Mbrojtjes dhe gjithë Qeveria e Republikës së Kosovës, si përgjegjëse e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, ka objektiv kryesor ndërtimin e forcave sipas standardeve të vendeve të NATO-s.
Ndërsa Shefi i Stafit të Shtabit të FSK-së, Gjeneral brigade Jeton Dreshaj tha se FSK është duke ngritur dhe zhvilluar ushtarë me karakter dhe të devotshëm në mbajtjen e vlerave dhe standardit më të lartë fizik dhe psikik.
Në garën “Ushtari më i mirë 2022” morën pjesë 39 garues nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Iowa (SHBA), dhe Turqia, si pjesë e KFOR-it.
Pjesëmarrësit garuan në disiplinat si: testi fizik, njohuri të përgjithshme, gjuajtje me armë të gjata, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe Gjeneral brigade Naim Haziri, si dhe oficerë të tjerë të lartë, nënoficerë dhe ushtarë të FSK-së si dhe të vendeve pjesëmarrëse, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.