Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave ka përcjellur materialin ofertues për projektin: Ndërtimi i “Rrugës A” ( kolektori dhe rruga).
Në kuadër të këtij projekti përfshihet rruga me të gjitha instalimet nëntokësore. Rruga do të jetë me tri korsi në një drejtim. Për autobus do të ketë korsi të veçantë ndërsa dy korsitë tjera do të shfrytëzohen për vetura.
Rruga do të ketë shtegun e biçiklistave dhe trotuarin afër saj. Po ashtu do të ketë tre shtigje të hapësirave gjelbëruese.
Rr. “A”, do të ndihmojë dukshëm në shkarkimin e trafikut të Prishtinës së Re, në të cilën ndërtimi i segmentit të LOT I do të kushtojë rreth 8 milionë euro.
LOT I, do të përfshijë segmentin nga “Veterniku” deri të vazhdimi i “Rrugës B”, thuhet në postimin në Facebook të Komunës së Prishtinës.