Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot, me rastin e Fitër Bajramit, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës.
Pas takimit me myftiun Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie, kryetari Konjufca e konsideroi Fitër Bajramin njërën ndër festat më të rëndësishme për besimtarët islamë.
Duke uruar të gjithë besimtarët islamë, shqiptarë dhe të tjerët, kudo që jetojnë, kryetari Konjufca falënderoi myftiun Tërnava për kontributin e jashtëzakonshëm dhe pozitiv që ka dhënë dhe vazhdon ta japë Bashkësia Islame e Kosovës për organizimin e jetës fetare islame në komunitetin, shoqërinë dhe popullin tonë.
“Bashkësia Islame vërtet po luan një rol shumë të vlerësuar në aspektin e bamirësisë, në mënyrë që ata që kanë më së shumti nevojë, ta kenë mbështetjen edhe të shtetit, por edhe të Bashkësisë Islame. Urime gjithë popullit shqiptar“, theksoi kryetari Konufca.
Kreu i Kuvendit falënderoi Bashkësinë Islame edhe për kultivimin e njërit prej vyrtyteve më të larta, solidaritetit dhe bamirësisë, që, siç tha kryetari Konjufca, po tretet në çdo shoqëri të botës dhe globalisht po shkon duke humbur, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.