Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria Rajonale e Kufirit – Lindje, me njësitë patrulluese policore për mbikëqyrje kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren.
Si rezultat i kësaj, në orët e mbrëmjes, bazuar edhe në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të Policisë kufitare është arritur të identifikohen katër (4) kuaj të cilët ishin futur në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Maqedonisë Veriore, dyshohet përmes rrugëve ilegale, të cilët ishin të ngarkuar me duhan të papërpunuar.
Duke u bazuar në informacione inteligjente, ngarkesa së bashku me kafshët-kuajt, kishin pasur destinacion shtëpinë e personit të dyshuar Z.N., në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë, me qëllim të ri- ngarkesës në një automjet me targa vendore.
Pas konsultimeve me prokurorin kompetentë, është bastisur edhe shtëpia e pabanuar, me ç ‘rast në një nga hapësirat e saj, janë gjetur edhe një sasi e konsiderueshme e mallit të njëjtë – duhan i papërpunuar. Në total janë gjetur 34 thasë duhan ‘refuz ‘të papërpunuar mbi 500 (pesëqind) kilogramë dhe 94 (nëntëdhjetë e katër) paketime duhan (rreth 1 kg.) e që bën rreth 94 kg. në total .
Pas hetimeve preliminare në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse, malli-duhani i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës, ndërsa me rastin është duke u marrë Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare- Lindje, dhe vendimet e mëtejme do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.