Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Kosova ka nevojë për ndihmë nga jashtë, por duhet t’i sjellim vlerat e BE-së brenda

Kor 5, 2022

Në ditën e parë të Tryezës së Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë dhe The Economist, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, diskutoi në panelin me temë “Evropa Juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”

Zgjidhja për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian, dhe drejt kësaj ne kemi nevojë për Procesin e Berlinit, theksoi kryeministri Kurti në fjalën e hapjes.

Procesi i Berlinit mund të sjellë një valë që do të ngriste të gjitha varkat në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht një iniciativë me Bashkimin Evropian  si vlerë dhe mekanizëm, e jo jashtë BE-së, shtoi ai.

Kryeministri Kurti tha se ne kemi nevojë për ndihmë nga jashtë, por duhet t’i sjellim vlerat e BE-së brenda, duke bërë reforma demokratike gjithmonë si prioritet drejt stabilitetit politik. Reformat demokratike mbi stabilitetin politik sigurojnë që të mos shfaqen autokratët, potencoi ai.

Republika e Kosovës është një sukses i dyfishtë: së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb, dhe në këtë mënyrë për t’u mundësuar refugjatëve kthimin dhe rindërtimin e shtetit tonë. Dhe së dyti, është një tregim suksesi për sa i përket rritjes ekonomike dhe demokracisë cilësore, që funksionojnë krah për krah, tha Kryeministri.

Duke folur për luftën në lidhje me narrativën, kryeministri Kurti tha se ka disa superfuqi që duan të tregojnë se autokracia është më e mirë për zhvillimin ekonomik. Dhe Kosova po tregon se në fakt, me reforma demokratike mund të arrihet sukses, edhe kur është fjala për rritjen ekonomike.

Për shkak të ndryshimeve demokratike që ndodhën vitin e kaluar, Kosova përjetoi rritjen më të lartë ekonomike që nga pavarësia me 10,53%, eksportet tona u rritën 83,6%,  dhe investimet e huaja u rritën 21%. Ne tani renditemi të parët në rajon në Projektin Botëror të Drejtësisë; jemi ngritur për 17 vende në Transparency International dhe Indeksin e Lirisë së Shtypit, tha ai.

Ne po tregojmë se me reformat demokratike, nga njëra anë bëmë rritjen e ekonomisë sonë, por edhe e rishpërndamë këtë rritje përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike, tha kryeministri, duke theksuar se demokracia dhe ekonomia shkojnë bashkë, dhe se Kosova ndonëse nuk është një vend i madh është  një shembull i shkëlqyer për këtë.

Duke folur për dënimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë, kryeministri tha se nuk mund të jemi neutral. Neutraliteti në këndvështrimin tonë është cinizëm dhe do të thotë kërkim i rehatisë në kohë krize.  Por shpresa dhe pasioni duhet të kapërcejnë çdo lloj cinizmi, shtoi ai.

Agresioni i Kremlinit ishte një luftë e zgjedhur, por solidariteti në Evropë nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrë, theksoi Kryeministri Kurti.

Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri tha se kemi një rrethanë fatkeqe ku fqinji ynë Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, dhe ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Duke theksuar se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri tjetrin, kryeministri theksoi synimet Qeverisë së Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku këtë vit do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat si dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës. Ai tha se shpreson që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të merret në konsideratë së shpejti, që do t’u mundësonte qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Krahas kryeministrit Kurti, në panel diskutuan edhe  Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi, Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Sir Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor dhe George Katrougkalos, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Paneli u drejtua nga Joan Hoey, drejtore për Evropë, The Economist Intelligence Unit, redaktore, The Democracy Index.

Kjo tryezë, e 26-ta me radhë, është organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist”, me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Me temën “Antiteza, transformime, arritje në një botë në ndryshim”, në këtë tryezë po marrin pjesë liderë shtetesh, ministra kabineti, drejtues të organizatave ndërkombëtare, drejtues nga biznesi, financat, profesionistë nga akademia dhe mediat, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM