Ministria e Kulturës njofton se sonte më 21 korrik fillon festivali i operës “Rame Lahaj International Opera Festival”.
Gjatë ditës u mbajt konferencë për media ku u prezantua programi i edicionit të dytë të festivalit.
Tenori Ramë Lahaj, themelues dhe drejtor i festivalit, tha se qëllimi i organizmit është promovimi i artit operistik në Kosovë dhe mbështetja për talentet e rinj.
Ndërsa ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ndër të tjera tha që Ministria i vlerëson shumë organizimet e tilla.
“Ne si Ministri e Kulturës e vlerësojmë shumë që Ramë Lahaj kthehet me këtë festival në vendin e tij dhe kontribuon në muzikën dhe zbulimin talenteve të rinj. Festivalin e vlerësojmë si kontribut të drejtpërdrejtë për promovimin e muzikës operistike në vend, sjelljen e artistëve të huaj, si dhe kontributin që sjell në promovimin e trashëgimisë muzikore shqiptare”, shtoi ai.
Të pranishëm në konferencë ishin edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe mjeshtri vokal Jean Bernard Thomas.
Festivali mbahet nga data 21-31 korrik 2022 në sheshin “Skënderbeu”, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.