Ministria e Kulturës bën të ditur se në kuadër të “Manifesta 14” në Prishtinë një pjesë e trasesë hekurudhore është shndërruar në shteg këmbësorësh që lidh ish-Fabrikën e Tullave me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.
Rruga hekurudhore shihet shpesh si një simbol i eksodit të vitit 1999, kur qindra mijëra qytetarë nga Kosova u larguan nga vendi për t’i shpëtuar luftës.
Në inaugurimin e këtij projekti ishte i pranishëm ministri ministrisë Infrastrukturës, Liburn Aliu, shefja e kabinetit të MKRS-së, Klodeta Krasniqi, kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtoresha e “Manifesta”-s, Hedwig Fijen, përfaqësues nga UN-Habitat Kosova dhe përfaqësues nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë.
U theksua se kjo ndërhyrje jo vetëm që do ta bëjë më të lehtë lëvizjen ndërmjet pjesëve të ndryshme të Prishtinës, por do të sigurojë një hapësirë të re të gjelbër për komunitetin brenda mjedisit urban.
Shefja e kabinetit të MKRS-së, Klodeta Krasniqi, tha se Manifesta si platformë e ka bërë artin shumë të qasshëm dhe të prekshëm për qytetarët, duke theksuar se platformat e tilla janë të rëndësishme për qytetet.
Projekti “Manifesta 14” – “Korridori i Gjelbër” – i projektuar nga Carlo Ratti Associati, është zbatuar nga UN-Habitat Kosova dhe financuar nga Qeveria e Suedisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe dhjetëra nxënës të shkollave të Prishtinës, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.