Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë udhëtuar për në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Uashington, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.
Në këtë vizitë do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë.
Objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë dhe tranzicioni në energji më të pastër në të ardhmen. Objektiv tjetër i projektit është edhe zhvillimi i shkathtësive në fushën e energjisë dhe ngritja e punësimit të grave në këtë fushë.