Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor (WBYO) e përbëjnë tridhjetë muzikantë të rinj nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe disa mysafirë nga BE-ja. Misioni i tyre është të promovojnë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore përmes muzikës klasike.
E themeluar në vitin 2019, Orkestra është produkt i Akademisë Verore të Muzikës Evropiane që mbahet në Kosovë që nga viti 2012. BE-ja, Ambasada Çeke në Prishtinë dhe shumë partnerë të tjerë ishin aty për t’i mbështetur përgjatë rrugëtimit të tyre ndërsa këto ditë po e mbështesin turneun e tyre të vitit 2022 në Ballkanin Perëndimor.
Gjithçka është e mundur kur gjuha e përbashkët është muzika – Një histori e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor
Ndërsa mbanin prova, tingujt e violinave, violave, violonçelove dhe kontrabasëve jehonin në korridoret e Akademisë së Muzikës së Kosovës në Prishtinë.
Kërkimi i njohurive
WBYO do të thotë shumë për anëtarët e saj. Për Alkestën, violiniste nga Gjakova, të qenit pjesë e Orkestrës është një mundësi për të fituar njohuri përtej asaj që është e mundur në Kosovë. Ajo e sheh punën e saj në orkestër si privilegj dhe përgjegjësi ndaj vetes dhe zhvillimit të saj profesional.
“Mentaliteti dhe tradita e kolegëve muzikantë të Ballkanit Perëndimor kanë më shumë ngjashmëri sesa dallime. Kjo është arsyeja pse unë kënaqem në prova si dhe gjatë kohës që e kalojmë së bashku me orkestrën. Ne i tejkalojmë sfidat dhe ia dalim të funksionojmë sepse përqendrohemi në realizimin e të njëjtës ide muzikore”, tha ajo.
Korrigjimi i gabimeve
Për Natashën, violiniste 21-vjeçare nga Banja Lluka, WBYO paraqet një mundësi për të korrigjuar gabimet.
“Unë jam rritur në Bosnje dhe Hercegovinë, ku bashkëjetojnë tri grupe etnike, kështu që jam mësuar që të gjithë t’i shoh si të barabartë me mua. Këtë e kam marrë nga familja ime dhe jam lodhur nga problemet politike dhe negativiteti që e rrethon dhe e ndanë rajonin tonë”, tha ajo.
“Shpesh i dëgjoj brezat e vjetër që ankohen se si të rinjtë e sotëm nuk janë të mirë, por nuk pajtohem aspak. Janë brezat e vjetër që nuk ishin edhe aq të mirë. Ne jemi këtu sot për shkak të zgjedhjeve të tyre. Megjithatë, ne mund të mësojmë prej tyre dhe të veprojmë më mirë. Ne mund të krijojmë përvoja të reja dhe të bukura dhe mund ta lëmë të kaluarën aty ku e ka vendin, në të kaluarën”, shtoi Natasha, ndërsa Fuadi, një 27-vjeçar ndihmës dirigjent i orkestrës nga Sarajeva pajtohet: “Rinia është ajo që na lidhë në Ballkanin Perëndimor. Është detyra jonë t’i edukojmë brezat e vjetër dhe ta pastrojmë rrëmujën e krijuar nga ta. Këtë mund ta bëjmë vetëm duke promovuar kulturën, sportin dhe artin në rajon”.
Mësimi dhe argëtimi
Violinistet Megi nga Vlora dhe Ana nga Tetova e vlerësojnë mundësinë për të mësuar vepra muzikore të cilat nuk i kishin luajtur më parë si dhe mundësinë për të mësuar nga muzikantë dhe dirigjentë me më shumë përvojë.
“Nuk ka shumë dallime mes muzikantëve. Të mos e flasësh të njëjtën gjuhë nuk paraqet problem, anglishtja funksionon. Kur nuk luajmë, e mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit dhe përkthejmë shaka. Si miq, ne po argëtohemi shumë”, thanë ato, ndërsa Fuadi shtoi: “Çelësi i veçantisë dhe suksesit të WBYO-së është procesi i vazhdueshëm i mësimit nga njëri-tjetri, si dhe profesionalizmi dhe përkushtimi i secilit anëtar”.
Pasioni ballkanik dhe struktura perëndimore
Jelena, një violiniste nga Podgorica, e cila aktualisht studion në Austri, theksoi se muzikantët e rinj nga rajoni kanë kombinimin më të mirë të elementeve muzikore.
“Ne kemi pasionin ballkanik dhe atë e përshtatim me strukturën perëndimore teksa krijojmë magji. Nevojiten 30 muzikantë me përvoja dhe shkathtësi unike për të krijuar muzikë që është universale, e fuqishme dhe unike”, tha Jelena duke shpresuar se Orkestra do të arrijë t’u tregojë të tjerëve se gjithçka është e mundur kur gjuha e përbashkët është muzika.
Respekti dhe pranimi
Pas Prishtinës, Orkestra do të vazhdojë në Shkup, Novi Sad, Mostar dhe Kotorr. Duke komentuar të gjithë përvojën, Milica, një violonçeliste nga Krushevci, theksoi se gjëja më e rëndësishme është respekti dhe pranimi i të tjerëve pa dallim race, besimi dhe kombësie.
“Për të pasur përvoja të reja, ne duhet të pranojmë dhe njohim njëri-tjetrin si dhe të ndërtojmë rrjete të qëndrueshme. Gjithashtu duhet të bëjmë përpjekje për të kuptuar njëri-tjetrin dhe për të mësuar nga njëri-tjetri me kureshtje dhe mendje të hapur”, tha ajo.
WBYO mbajti provat e tyre në Prishtinë nga data 14 deri më 20 korrik. Ata do të mbajnë koncerte në rajon nga data 21 deri më 28 korrik ndërsa në gusht do të udhëtojnë për në Gjermani për të performuar në Berlin, Kassel, Königswinter, Aachen dhe Essen, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.