Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, së bashku me zëvendëskryeministren e Dytë dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministrin e Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, mori pjesë në hapjen e panairit biznesor ‘’E Jona’’.
Ky panair po organizohet për herë të parë dhe atë në Gjilan në datat 27, 28 dhe 29 korrik dhe synon të bëjë bashkë pjesëmarrësit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Diaspora me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve të trevave shqiptare. Në këtë vit të nisjes së kësaj tradite, do të mbulohen veprimtaritë si agrobiznes, ushqim dhe pije, ndërtim, arkitekturë dhe paluajtshmëri, teknologji informative (IT), turizëm, kulturë, edukim dhe institucione.
Panairi do të shndërrohet në vendtakimin e prodhuesve shqiptarë kudo që ata ndodhen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Gjilanit do të mbështesin 90% të shumës së pjesëmarrjes së bizneseve në panair, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.