Komuna e Prishtinës njofton se të gjithë shitësit të cilët operojnë çdo të diele në hapësirat publike, në trotuare dhe rrugë, në afërsi të “Tregut të Automjeteve” në Zonën Industriale të Kryeqytetit në magjistralen Prishtinë – Fushë Kosovë, se duhet të lirojnë këto hapësira me qëllim që të njëjtat të shfrytëzohen për çfarë edhe janë të destinuara.
Drejtoria e Inspekcionit- Komuna e Prishtinës do të fillojë aksionin nën asistencën edhe të Policisë së Kosovës për lirimin e këtyre hapësirave, rrugëve dhe trotuareve.
Hapësirat që duhet të lirohen në afërsi të “Tregut të automjeteve” në Zonën Industriale të Kryeqytetit përfshijnë rrugët dhe trotuaret si në vijim:
- Rruga Dervish Çollaku
- Rruga Epiri
- Rruga Aziz Abrashi
Luten të gjithë shitësit që përgjatë kësaj periudhe të bëjnë zgjidhje të ligjshme duke u sistemuar brenda ambienteve zyrtare të Tregut të automjeteve, për shkak se pas datës së cekur më lartë, në asnjë mënyrë nuk do të lejohen të operojnë jashtë ambienteve të Tregut dhe në hapësira të cilat janë të destinuara për qarkullimin e automjeteve dhe të këmbësorëve.
Aksioni është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme të cilat ndërlidhen me sistemimin e shitësve ambulantë brenda hapësirave të përcaktuara si tregje për shkak se, përveç uzurpimit të hapësirave publike, shitja e produkteve ushqimore në kushte të papërshtatshme higjienike përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve të Kryeqytetit dhe më gjerë.
Komuna e Prishtinës pret mirëkuptimin e të gjithë shitësve për këtë vendim, për shkak se konsiderojmë se ky vendim do të ndihmojë sado pak qëllimin tonë të përbashkët: transformimin e Prishtinës, thuhet në postimin në Facebook të Komunës së Prishtinës.