Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Falënderojmë ShBA-të për mbështetjen e pakursyer në fazën e shtetndërtimit tonë e zhvillimit socio- ekonomik

Kor 30, 2022

Kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani pas vizitës zyrtare në ShBA ka mbajtur konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Kurti ka thënë se vizita në ShBA ka qenë e frytshme, ku në njërën anë ishte nënshkrimi i marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht programin “Kompakt” me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë dhe në anën tjetër takimi i dobishëm për vendin tonë dhe marrëdhëniet bilaterale me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

U jemi shumë mirënjohës dhe falënderues Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen e tyre të pakursyer e të parezervë në secilën fazë të shtetndërtimit tonë demokratik e të zhvillimit tonë socio- ekonomik, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

Faleminderit të nderuar gazetarë, punonjës të mediave që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë konferencë për media këtu në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe njëkohësisht mirë se ju gjetëm, meqenëse pas kthimit tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më së pari po ju takojmë pikërisht juve.

 

Ishte një vizitë e shkëlqyeshme dhe shumë e frytshme. Në njërën anë kishim nënshkrimin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht programin “Kompakt” me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë dhe në anën tjetër takimin tejet të përzemërt dhe të dobishëm për vendin tonë dhe marrëdhëniet bilaterale me Sekretarin Amerikan të Shtetit, z.Antony Blinken.

 

Në programin “Kompakt” siç e kemi shpjeguar edhe më herët bashkë edhe me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, parashihet një grant prej mbi 200 milionë dollarë, pra nuk bëhet fjalë për kredi që duhet të kthehet, bëhet fjalë për një grant i cili i ipet vendit tonë për sektorin e energjisë, me theks të veçantë tek bateritë akumuluese, dhe gjithashtu tek trajnimet dhe ngritja e shkathtësive profesionale në sektorin e energjisë, me potencim tek pjesëmarrja e grave.

 

Ju e dini që ne do të përqendrohemi tek burimet e ripërtëritshme dhe pikërisht përqendrimi tek burimet e ripërtëritshme që sipas “Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031”, shkon deri në 1400 megavat në vitet në vijim, madje edhe shpresojmë ta tejkalojmë këtë numër, ka nevojë për bateri akumuluese.

 

Pra, burimet e ripërtëritshme në të cilat ne do të përqendrohemi do të kenë nevojë për bateri akumuluese dhe jemi me shumë fat që MCC-ja, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit na ka dalur në ndihmë pikërisht në këtë aspekt tejet të rëndësishëm për pavarësinë e gjenerimit të energjisë karshi konsumit që sa vije e rritet, edhe për shkak të ekonomisë që po rritet në Republikën e Kosovës.

 

Siç e tha edhe Presidentja Osmani, takimi me Sekretarin Blinken ishte fort i veçantë, sepse në njërën anë është konfirmim i aleancës sonë të fortë, i partneritetit tonë të gjerë, i miqësisë sonë të thellë, por në anën tjetër gjithashtu është edhe hapje e një kapitulli të ri ku reformat demokratike në Kosovë dhe sfidat para së cilave ndodhet jo vetëm Kosova po i gjithë kontinenti, për shkak të invazionit rus në Ukrainë, kërkojnë një shtim të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Dhe ne këtë e synojmë si në aspektin e mbrojtjes e të sigurisë, poashtu edhe në atë të integrimit ndërkombëtar dhe pa harruar investimet në ekonomi, investimet amerikane, të cilat do të punojmë që të shtohen, dhe kemi shumë besim që edhe marrëveshja për grantin mbi 200 milionësh nga MCC-ja do të kontribuoj në këtë drejtim.

 

Në kohën kur Kosova është vendi më pro demokratik, pro evropian, pro amerikan në Ballkanin Perëndimor, kjo vizitë e merr një vlerë të shtuar, sepse është edhe mirënjohje e falënderim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova po e dëshmon vetën si një rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, ku ajo ndërhyrje udhëheqej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i zhvillimit ekonomik që shkon bashkë me një demokraci cilësore.

 

Pra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë lartë progresin në Kosovë. Ndërkaq, ne edhe në takim, edhe sot, edhe përditë u jemi shumë mirënjohës dhe falënderues Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndihmën, mbështetjen dhe përkrahjen e tyre të pakursyer e të parezervë në secilën fazë të shtetndërtimit tonë demokratik e të zhvillimit tonë socio- ekonomik.

 

Në fund dua të potencoj që në javët, muajt e vitet në vijim duhet të shohim se si të bashkojmë përgjegjësitë institucionale me shoqërinë, me komunitetet në Kosovë dhe me të gjitha projektet e proceset, ashtu që koha e humbur në të kaluarën të kompensohet me shpejtësi, për shkak se duhet t’i shtojmë përpjekjet që Kosova të përballet sa më suksesshëm me këtë krizë të shumëfishtë.

 

Ju e dini që në njërën anë nuk mund të thuhet që pandemia COVID-19 ka shkuar, ndërkaq në anën tjetër nuk duket askund se lufta në Ukrainë ka përfunduar. Prandaj, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, shumë vigjilentë që t’i bashkojmë forcat, dhe pasojat e kësaj krize të shumëfishtë të ndjehen sa më pak. Dhe këtu ne shohim angazhimin tonë të brendshëm, rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe urën tonë të bashkëpunimit shumëdimensional si vendimtare për suksesin përpara.

 

Edhe njëherë i falënderojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që e kanë bërë Kosovën një vend që të lavdërohet gjithandej për sukseset e saj dhe për cilësinë e vlerave demokratike properëndimore që mbizotërojnë në vendin tonë.​

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM