Build Skills with our trainings

Sign up now!

KMDLNj: Dhunë e papranueshme ndaj policëve dhe qytetarëve në Veri të Kosovës

Gus 1, 2022

KMDLNj e dënon dhunën ndaj policëve të Kosovës dhe qytetarëve e që nuk është herë e parë që ndodhë dhe kundërshton kufizimin e lirisë së lëvizjes sepse është e drejtë elementare e njeriut dhe është standard ndërkombëtar për të gjitha vendet demokratike.

Qeveria e Kosovës, muaj më parë ka paralajmëruar se nga 1 gushti 2022 do të vendosë reciprocitetin në përdorimin e dokumenteve për ata që kanë dokumentet e Serbisë duke i pajisur me një dokument të përkohshëm që e mundëson hyrjen dhe qëndrimin e tyre në Kosovë sikur edhe pajisjen me tabela RKS për automjetet që, deri me këtë datë kishin përdorur tabelat e vjetra.

Për regjistrim me tabela RKS, Qeveria e Kosovës pati premtuar lehtësira duke i liruar nga pagesa, në emër të një diskriminimi pozitiv duke diskriminuar në këtë mënyrë qytetarët tjerë, shumicë absolute, pagues të rregullt.

Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, si i tillë është pranuar nga më shumë se 100 shtete andaj është e detyruar të krijojë siguri për të gjithë qytetarët dhe shtetasit e saj sikur edhe lirinë e lëvizjes, brenda integritetit territorial. Kosova ka detyrim kushtetues ta shtrijë sovranitetin brenda këtij integriteti territoria dhe, në këtë drejtim nuk duhet bërë asnjë kompromis, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.

 

 

Qytetarët serbë kanë qenë të informuar me kohë për këtë paralajmërim dhe kanë pasur kohë të mjaftueshme të kërkojnë sqarime eventuale por se nuk e kanë bërë këtë. Madje, kohë më parë, përmes një videoincizimi nga një lokacion i paidentifikuar, nënkryetari i Listes Serbe dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviq i cili është në kërkim nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, Milan Radojiçiq, kërcënoi haptas se është kthyer për të mbrojtur serbët e Kosovës nga një terror duke përfunduar me fjalët se: “ nuk ka kthim prapa ..”. Milan Radojiçiq është në Listën e Administartës amerikane që i ndalohet hyrja dhe çdo aktivitet për shkak të angazhimit në aktivitete kriminale. Gjatë kësaj kohe, udhëheqësit më të lartë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Vulin, Brnabiq, Daçiq, Petkoviq etj. thirrnin në rezistencë kundër një vendimi të drejtë të qeverisës së Kosovës e cila parashihet edhe me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

 

Madje, ata deklaronin se Serbia nuk do të qëndrojë duarkryq para terrorit të paralajmëruar të Kosovës duke e fyer me fjalët më të rënda kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Fjalori konfliktnxitës i udhëheqësve të Serbisë ua mbushi armët ekstremistëve të veriut të Kosovës dhe, një ditë para zbatimit të reciprocitetit bllokuan rrugët me makineri të rëndë sikur që gjuajtën me armë zjarri në drejtim të Policisë së Kosovës  keqtrajtuan fizikisht qytetarë shqiptarë, kalimtarë të rastit apo ata që vinin nga diaspora, deri sa u mbyllën pikëkalimet kufitare në Bërrnjak dhe Jarinje. Rezistenca e serbëve të instrumentalizuar nga regjimi i Serbisë filloi me aktivizimin e sirenave dhe alarmit që, në momente të caktuara  ka shërbyer dhe shërben për mobilizimin e protestuesve, kryesisht të dhunshëm. 

 

Policia e Kosovës është dashur që të largojë nga rrugët e bllokuara të gjithë makinerinë sepse ashtu e parasheh ligji sikur të vendosë para ligji të gjithë ata që ushtrojnë dhunë, pavarësisht se kush janë. Intervenimi joserioz përmes instrumentalizimit politik të Policisë së Kosovës e vë këtë shërbim në pozitë diskredituese duke ia ulur besueshmërinë, aq më parë që konsiderohet si institucioni më i besueshëm dhe më serioz. KMDLNj – ë, shumë herë më parë ka reaguar dhe e ka quajtur nonsens që një shërbim si Policia e Kosovës, nuk ka sigurime shëndetësore në kohën kur shumë institucione shtetërore dhe ndërmarrje publike kanë sigurime shëndetësore. Është kohë e fundit që të veprohet në mënyrë që Policisë së Kosovës t’iu sigurohen kushte të nevojshme për punë e jo që policët vet t’i rregullojnë këpucët apo t’i dërgojnë uniformat e tyre në ngjyrosje për shkak të humbjes së ngjyres. Për dikend kjo duket e pabesueshme, KMDLNj ka argumente të mjaftueshme që e dëshmojnë këtë.

 

Duhet të bëhet e qartë se situata nuk po tensionohet shkaku i mungesës së dialogut por shkaku i ndërhyrjes flagrante të Serbisë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur.

 

KMDLNj nuk e vlerëson se rebelimet e ekstremistëve serbë në veri të Kosovës janë bërë shkaku i dokumenteve dhe të tabelave të veturave por se kjo po përdoret vetëm si pretekst për një kontekst shumë më serioz dhe me pasoja për Kosovën.

 

Ndërkombëtarët, sidomos burokratët e BE –së  përmes një qëndrimi oportunist dhe të padrejtë po e inkurajojnë Serbinë të ndërmerrë veprime destabilizuese. Ndryshe, si të arsyetohet që të tëra këto aktivitete destabilizuese po zhvillohen në terrenin e Kosovës, që nga përfundimi i luftës. Pranimi i kushtëzimit nga qeveria e Kosovës që, ne e shtyjmë reciprocitetin për një muaj nëse largohen të gjitha barikadat është joserioz dhe nënshtrim ndaj modeli që po e përdorin ekstremistët serbë duke krijuar një presedan të rrezikshëm që e rrezikon sigurinë dhe e destabilizon situatën.

 

KMDLNj e fton opoziten që të  jenë konstruktiv në zgjidhjet për tejkalim të situatës duke lënë anash interesat politike sikur që e thërret poziten të jetë më e përgjegjshme në raport me opozitën. Për çështje të interesit të përgjithshëm të shtetit, pozita nuk ka mundësi të marrë qëndrim apo vendime pa opoziten.

 

Situata, tërhiqe e mos e këput është jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën, Serbisë i përshtatet kjo gjendje edhe në 100 vjetët e ardhshëm. Kosovës përfundimisht jo, prandaj institucionet e Kosovës duhet të jenë më të përgjegjshme. Nuk ka asnjë logjikë pohimi se asgjë me Serbinë nuk mund të zgjidhet pa ndërmjetësimin e BE –së dhe SHBA -ve ndërsa, në anën tjetër refuzohen thuaja të gjitha propozimet që vinë nga këto shtete. KMDLNj –ë kërkon transparencë më të madhe nga qeveria e Kosovës për ecurinë dhe përmbajtjen e dialogut me Serbinë e që, deri më tani ka qenë një informim krejtësisht i mjegulluar!

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM