Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Evropiane e Instituteve për Aftësimin Profesional (EVBB), Theodor Grassos nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi për përmirësimin e imazhit të AAP-së në Kosovë.
Qëllimi i Memorandumit është ndërmarrja e nismave të cilat do të rrisin rëndësinë e arsimit profesional në Kosovë, duke e bërë atë zgjedhjen e parë për të rinjtë tanë.
Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, ky Memorandum është i një rëndësie të veçantë dhe do të ndikojë në zhvillimin dhe zbatimin e aktiviteteve të përbashkëta për përmirësimin e imazhit të AAP-së në Kosovë.
Po ashtu, tha se, do të mundësojë prezantimin e metodologjive dhe praktikave të aplikuara në vendet e treta (evropiane apo joevropiane), organizimin e punëtorive dhe seminareve me pjesëmarrje të stafit të MAShTI mbi çështjet aktuale të AAP-së, ofrimin e ekspertizës për çështjet e AAP-së dhe forma të tjera të bashkëpunimit të cilat kanë për qëllim fuqizimin e këtij dikasteri.
Nagavci ndër të tjera foli edhe për implementimin e mësimit dual që do të fillojë nga 1 shtatori në katër profile, kuzhinier, asistent i restorantit, floktar dhe murator, si dhe për rëndësinë që ka AAP në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ajo theksoi se, ofrimi i një modeli të ri të mësimit do të jetë përparësi për shkollat dhe do të shtojë interesimin e nxënësve për t’u regjistruar në këto drejtime.
Ndryshe, Shoqata Evropiane e Instituteve për Trajnime Profesionale (EVBB) është shoqatë ombrellë evropiane e ofruesve të Arsimit dhe Trajnimit Profesional (VET).
Objektivi i saj është përmirësimi cilësor i arsimit dhe trajnimit profesional në Evropë dhe më gjerë dhe rritja e përpjekjeve të synuara për të promovuar AAP-në si zgjedhje e parë, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.