Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në kazermën e FSK-së, “Adem Jashari”, në Prishtinë, u shfaq filmi i metrazhit të shkurtër,”Ferdonija”. Ky film, në regji të Gazmend Bajrit dhe Shkurte Dautit“, rrëfen historinë e Ferdonije Qerkezit, nënës e cila ka humbur burrin dhe djemtë e saj gjatë luftës në Kosovë.
Të pranishëm me këtë rast ishin: ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, gjeneral brigade, Naim Haziri, Ferdonije Qerkezi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti si dhe zyrtarë të tjerë të lartë vendorë dhe ushtarakë të FSK-së.
Në fjalën e tij, ministri Mehaj, theksoi se në këtë ditë rikujtohen pasojat e tmerrshme që ka lënë lufta, boshllëkun e familjeve tona në shoqëri.
“Përmes Nënës Ferdonije i rikujtojmë njëri-tjetrit detyrën që kemi ndaj të pagjeturve dhe familjarëve të tyre,si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk duhet të rreshtim asnjëherë së kërkuari drejtësi dhe as së dokumentuari ngjarjet e luftës”, tha ministri Mehaj.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, në mes tjerash, theksoi nevojën për rritje të presionit nga faktori ndërkombëtar mbi palën serbe, duke cekur se Serbia është adresa e vetme për personat e zhdukur në Kosovë.
Rasti i Nënës Ferdonije është një nga 1617 rastet tjera, qytetarë të këtij vendi, mungesën e të cilëve ua ndjejnë çdo ditë familjarët dhe gjithë shoqëria e vendit, thuhet në komunikatën për media e Ministrisë së Mbrojtjes.