Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Micheline Calmy Rey, ish Presidente federale e Departamentit të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane, njëherit presidente e fondacionit “Avni Orllati”.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e Zvicrës dhënë Kosovës para dhe pas luftës.
Calmy Rey u interesua për zhvillimet në Kosovë, veçanërisht në rrafshin e ekonomisë, si dhe e përgëzoi kryeministrin për punën e Qeverisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
U bisedua për marrëdhëniet rajonale si dhe planet për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në këtë takim të përbashkët, të pranishëm ishin edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, fitues i çmimit “Ndërmarrësi i vitit 2020” në Zvicër, Avni Orllati, si dhe ambasadori i Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli.
U bisedua edhe për planet dhe projektet që fondacioni “Avni Orllati” planifikon të zhvillojë në Kosovë, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.




