Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se pas promovimit në Gjakovë, Abetaren e përbashkët unike Kosovë–Shqipëri është promovuar edhe në Tiranë, nga ku bashkë me kryeministrin Edi Rama, ministren Evis Kushi dhe ministrin Jeton Shaqiri kanë uruar të gjithë vogëlushët shqiptarë, të cilët do të jenë të parët që do ta fillojnë këtë histori të bukur shqiptare.
Nagavci në postimin e saj në Facebook ka thënë se shfrytëzimi i potencialit të dy vendeve tona, na bën shumë më të fortë dhe shumë më të lehtë arritjen e synimeve tona të përbashkëta për arsimim më cilësor.
Kur flasim për Abetaren, natyrshëm na vijnë në mendje të gjithë ata atdhetarë e intelektualë që i vunë themelet, e bënë rrugë të gjatë dhe plot sakrifica për ruajtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare që na bashkojnë.
Kujtojmë edhe gjithë atë plejadë mësuesish që ngritën breza të tërë duke luftuar analfabetizmin dhe paditurinë për të ngritur kështu një komb të tërë drejt një shoqërie të emancipuar, të ditur e konkurruese me botën e zhvilluar.
Tash, të gjithë së bashku le ta bëjmë historinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës, arsimit dhe fuqizimin e kombit shqiptar.
Shfrytëzimi i potencialit të dy vendeve tona, na bën shumë më të fortë dhe shumë më të lehtë arritjen e synimeve tona të përbashkëta për arsimim më cilësor.
E gëzofshi Abetaren e re!






