Zëvendësministrja e Arsimit, Dr. Edona Maloku Bërdyna mori pjesë në përurimin e objektit të ri të shkollës “Fan Noli” në Kryshec të Pejës, e cila është investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).
Me këtë rast, zv.ministrja Maloku Bërdyna tha se ky objekt shkollor është një investim i radhës të cilin po e bën Ministria për përmirësimin e infrastrukturës shkollore, me synimin që të ofrojmë bazë të mirë për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies e mësimnxënies dhe rrjedhimisht, edhe të përmirësimit të cilësisë në arsim.
Zv.ministrja uroi që ky përurim të shërbejë si frymëzim shtesë për mësimdhënësit, nxënësit e drejtuesit e shkollës që të vazhdojnë në misionin e tyre të shenjtë të edukimit e arsimimit të fëmijëve e të rinjve tanë.
Ajo theksoi se arsimi është dhe mbetet boshti kryesor i zhvillimit tonë shoqëror e ekonomik dhe se të gjithë ne, pa dallim, duhet të bëjmë më të mirën që dimë e që mundemi për të siguruar që cilësia në arsim të rritet.
Objekti i përuruar është një investim në vlerë mbi 515 mijë euro, me sipërfaqe prej 1 mijë e 800 metra katrorë. Përveç dhomave të mësimit e hapësirave tipike përcjellëse, shkolla përfshinë edhe klasë për parafillorë, kabinete e terren sportiv, dhe përmbushë kështu nevojat e kahmotshme të Kryshecit e rrethinës, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.






