Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kurti: Nuk mund të kemi Republikë të përparuar e me mirëqenie pa qenë të tilla edhe komunat e shtetit tonë

Sht 24, 2022

Nuk mund të kemi Republikë të përparuar e me mirëqenie pa qenë të tilla edhe komunat e shtetit tonë, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takim me kryetarët e komunave të Kosovës.

Në takimin e organizuar me  qëllim të koordinimit ndër-institucional mes Qeverisë dhe pushtetit lokal, të pranishëm ishin edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal,  Elbert Krasniqi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, si dhe kryetarët dhe nënkryetarët e komunave të Republikës së Kosovës.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam i hapur e i gatshëm të jem afër jush, bashkë më bashkëpunëtorët e mi që sot janë të pranishëm, dhe gjithë kabinetin qeveritar,  për t’u angazhuar bashkërisht për progresin demokratik, social e ekonomik të Republikës sonë, theksoi Kryeministri Kurti.

Kryeministri i njoftoi kryetarët se Qeveria e Republikës së Kosovës është në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2023 dhe se në këtë buxhet reflektohet një rritje e konsiderueshme e buxhetit dedikuar nivelit komunal.

Për herë të parë kemi rritje prej 15% të buxhetit për komunat, në raport me vitin 2022. Do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave. E kjo rritje e buxhetit do të duhej të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës, mirëqenies së tyre dhe zhvillimit socio-ekonomik. Qasja jonë si qeveri është që të jemi afër qytetarëve edhe duke qenë afër komunave, e për këtë na nevojitet avancim dhe intensifikim i bashkëpunimit tonë të ndërsjellë ndërinstitucional, tha kryeministri Kurti.

Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarrë shumë hapa reformues, duke filluar me kornizën ligjore që rregullon pushtetin lokal, dyfishimin e mbështetjes së komunave përmes ministrive të linjës, si dhe më e rëndësishmja, komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, theksoi ai.

Në takimin e sotëm, diskutimi u fokusua te performanca buxhetore e komunave, projektet komunale dhe investimet kapitale, energjia dhe ujërat, reformat ligjore në nivel lokal, zhvillimi ekonomik lokal, agjenda e gjelbër, Strategjia kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar si dhe digjitalizimi i shërbimeve komunale.

Kjo është hera e dytë që Kryeministri takon në këtë format kryetarët e komunave, pas takimit të mbajtur më 25 qershor, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

 

Më lejoni t’ju falënderoj për pjesëmarrje në këtë tryezë, gjatë së cilës do të kemi mundësinë të diskutojmë lidhur me qeverisjen lokale dhe raportet e saj me qeverisjen qendrore.

 

Kjo është hera e dytë që ne po takohemi në këtë format pas tre muajve, pas takimit që mbajtën me 25 qershor, mirëpo natyra e punës sonë na ndërgjegjëson që takimet në mes nesh të jenë më të shpeshta, ndonëse asnjëherë nuk mund të jenë të mjaftueshme.

Më lejoni t’ju njoftoj së Qeveria e Republikës së Kosovës është në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin fiskal 2023. Në këtë buxhet reflektohet një rritje e konsiderueshme e buxhetit dedikuar nivelit komunal.

 

Për herë të parë kemi rritje prej 15% të buxhetit për komunat, në raport me vitin 2022. Do të jenë 654 milionë euro që do t’u ndahen komunave. E kjo rritje e buxhetit do të duhej të reflektojë edhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës, mirëqenies së tyre dhe zhvillimit socio-ekonomik. Qasja jonë si qeveri është që të jemi afër qytetarëve edhe duke qenë afër komunave, e për këtë na nevojitet avancim dhe intensifikim i bashkëpunimit tonë të ndërsjellë ndërinstitucional.

 

Andaj, në takimin e sotëm, do të fokusohemi te performanca buxhetore e komunave, projektet komunale dhe investimet kapitale.

 

Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarrë shumë hapa reformues, duke filluar me kornizën ligjore që rregullon pushtetin lokal, dyfishimin e mbështetjes së komunave përmes ministrive të linjës, si dhe më e rëndësishmja, komunikim të drejtpërdrejt ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

 

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë, duke filluar nga:

⦁     hartimi i Planit Kombëtar të Zhvillimit, ku si derivat i saj do të jetë hartimi i Planit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik Lokal;

⦁     mandej, hartimi i Planit për Zvogëlimin e Barrës Administrative, ku komunave do t’u mundësohet thjeshtëzimi i procedurave administrative dhe shërbimeve komunale;

⦁     jemi në fazën e fundit të hartimit të Strategjisë për Digjitalizim, për digjitalizimin e shërbimeve dhe procedurave administrative komunale që do të rrisë kështu efikasitetin e shërbimeve dhe mirëqenien dhe llogaridhënien e transparencën e institucioneve.  

 

Në muajin prill kemi filluar bashkë nismën Karta për Komunën e Gjelbër dhe të Qëndrueshme. Shumë nga komunat e kanë nënshkruar atë, në mënyrë që të fitojnë mbështetje financiare e profesionale në dizajnimin e politikave të integruara të zhvillimit që nuk duhet të jetë vetëm urban e social, por edhe ekologjik. Andaj sot do të flasim edhe për agjendën e gjelbër edhe për ujërat.

 

Po ashtu, për bashkëpunimin dhe përgjegjësinë e institucioneve qendore dhe lokale për zbatimin e masave për kursimin e energjisë elektrike, për tejkalimin e situatës së furnizimit me energji elektrike në prag të dimrit që ndodhemi.

 

Gjithashtu, Qeveria tashmë ka themeluar grupin punues për hartimin e strategjisë kombëtare me qëllim të menaxhimit dhe kontrollit të popullsisë së qenve. E dimë që një numër i madh i komunave e kanë këtë problem. Ndonëse niveli lokal i ka shumicën e përgjegjësive për të zbatuar masat e ndryshme për menaxhimin e kësaj situate, sot do të flasim për mbështetjen e nivelit qendror përmes hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre, apo edhe nevojës për mbështetje financiare. Prania e madhe e qenve endacakë nëpër komunat e Kosovës, qytetet e qytetëzat, por edhe fshatrat tashmë është kthyer në problem të sigurisë së qytetarëve e të shëndetit publik, përveçse është problem për qentë dhe mirëqenien e tyre.

 

Një tjetër aspekt ku do të mund të rrisim bashkëpunimin tonë është edhe trekëndëshi: qeveri qendrore, qeveri lokale dhe institucione e organizata ndërkombëtare. Pra si mund ta rrisim këtë bashkëpunim? Çfarë mund të bëjmë së bashku, në mënyrë që të arrijmë rezultate konkrete për mirëqenien sociale e ekonomi të zhvilluar lokale? Cilët janë hapat që mund t’i koordinojmë dhe veprimet të cilat mund t’i ndërmarrim?

 

Nëpërmjet programeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, komunat tona po rrisin bashkëpunimin ndërkufitar, me mbështetjen financiare nga fondet e IPA-së. Po ashtu, komunat tona po bashkëpunojnë e po binjakëzohen me komunat e shteteve mike të Republikës së Kosovës. Nëpërmjet nismës së MAPL-së do t’u ofrojmë mbështetje komunave që të bëhen anëtare të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.

 

Por si mund t’i shfrytëzojmë më së miri të gjitha këto mundësi, për të avancuar demokracinë lokale, zhvillimin socio-ekonomik, mirëqeverisjen e bashkërendimin, po ashtu duhet ta diskutojmë së bashku.

 

Për këtë jam shumë i interesuar që sot, e çdo ditë, e në çdo takim të këtillë, t’i kemi në agjendë këto çështje që prekin direkt jetën e qytetarëve. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës jam i hapur e i gatshëm të jem afër jush, bashkë më bashkëpunëtorët e mi që sot janë të pranishëm, dhe gjithë kabinetin qeveritar,  për t’u angazhuar bashkërisht për progresin demokratik, social e ekonomik të Republikës sonë.

 

Nuk mund të kemi Republikë të përparuar e me mirëqenie pa qenë të tilla edhe komunat e shtetit tonë.

 

Unë ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe mirëpres diskutimet e sotme.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM