Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka marr pjesë në takimin e grupit të veçantë për reformën në administratën publike, me qëllim të përfaqësimit institucional të pushtetit lokal.
Gjatë këtij takimi Ministri Krasniqi, ka përmendur disa nga reformat e MAPL-së të cilat janë në shërbim të Komunave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Reformat në nivelin lokal, përgatitja e projekteve duke u bazuar në trendët dhe nevojat e Komunave si dhe digjitalizimi i shërbimeve komunale ishin pjesë kyçe e fjalës së Ministrit Krasniqi gjatë këtij takimi.
“MAPL ka disejnuar platformën elektronike e-Komunat, nëpërmjet të cilës fillimisht do të ngris nivelin e interaktivitetit me qytetarët e cila po ashtu ka të bëjë më rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe do të ofrohen shërbime për qytetarët dhe bizneset, në mënyrë digjitale. MAPL e mbështet dhe do ta zbatojë bashkë me komunat, Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative të miratuar nga Qeveria, ku parashihen masat konkrete për thjeshtimin dhe digjitalizimin e shërbimeve në nivel lokal, bashkë me veprime tjera të cilat ndihmojnë bizneset edhe në nivel lokal, siç është fiskalizimi digjital, si dhe në kontekst të qëndrueshmërisë institucionale parashihet të trajnohet mbi 400 zyrtarë komunal për ofrim të shërbimeve, konkretisht si të mos krijojnë barrë për qytetarët dhe bizneset”, tha ministri Krasniqi.
MAPL si autoritet mbikëqyrës i komunave, do të mbështes nivelin lokal, në mënyrë që të kemi një administratë më efikase, efektive dhe profesionale, thuhet në komunikatën për media e MAPL-së.