Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në koordinim me Policinë e Kosovës-Krimet Ekonomike dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), sot ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje personin me inicialet Sh.M., për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar”, sipas KPRK-së.
Personi i lartcekur dyshohet se, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumente të rrejshme dhe duke përdorur nënshkrimin e personit zyrtar të AKP-së, kinse si person zyrtar i autorizuar nga kjo Agjenci, nga viti 2019 e deri në vitin 2022, ka bërë shitjen e aseteve që ndodhen në Bosnje e Hercegovinë dhe në Malin e Zi, ku me këto veprime i dyshuari ka kryer veprat penale të lartcekura.
I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit prokurori i çështjes do t’i ndërmerrë veprimet e mëtejme ligjore.
Po ashtu, në këtë është çështje penale me urdhër të prokurorit është sekuestruar një (1) veturë, një (1) telefon, para në vlerë prej 900€ (nëntëqind) euro dhe prova të tjera të cilat do të shërbejnë në procedurë.
Prokuroria në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sqarimit në plotëni të kësaj çështjeje penale, thuhet në faqen zyrtare të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.