Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga Nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe Shefi i kabinetit Ilir Kërçeli, ka pritur sot në takim një delegacion nga Bashkimi Evropian, kryesuar nga Vassilis Maragos, Shef i Njësisë për Kosovë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit.
Kryetari Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e mira midis Bashkimit Evropian dhe Kosovës, teksa shprehu mirënjohje për mbështetjen që BE i ka dhënë legjislativit me fonde dhe projekte të ndryshme zhvillimore që nga paslufta.
Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë ndërtuar tashmë një traditë të mirë bashkëpunimi, si rezultat i të cilit janë shënuar shumë arritje në fushën e demokracisë sonë parlamentare, theksoi Kryetari Konjufca, duke shpalosur progresin e arritur, sfidat dhe prioritetet e legjislativit.
Shefi i Njësisë për Kosovë, Maragos shprehu gatishmërinë e BE-së për vazhdimin e mbështetjes së institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe Kuvendin, në reformat e planifikuara që lidhen me integrimin në BE dhe anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare.
Kryetari i Kuvendit dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian u pajtuan për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në funksion të miratimit të ligjeve sa më cilësore dhe në pajtueshmëri të plotë me standardet e BE-së.
Pjesë e takimit të sotëm ishin edhe përfaqësuesit e lartë të BE-së në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek, Alessandro Bianciardi, Annemarie Douwes dhe Nicola Scaramuzzo, thuhet në komunikatën për media e Kuvendit të Kosovës.