Ministria e Mbrojtjes njofton se u mbajt ceremonia lamtumirëse e organizuar në Kampin Film City, në shenjë të përfundimit të misionit gjashtëvjeçar të Shefit të Stafit të NALT-it, Aemal Bahadur, ku mori pjesë ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj i shoqëruar nga zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe zv. komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, të pritur nga nikoqiri i ceremonisë, drejtori i NALT-it, gjeneral brigade Joachim Hoppe.
Me këtë rast, ministri Mehaj i ndau Medaljen “Shërbim i shquar”, shefit të Stafit të NALT-it, Aemal Bahadur, me motivacion për përkushtimin dhe devotshmërinë e tij për të mbështetur Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve.
Ministri Mehaj, gjithashtu shprehu vlerësimin më të thellë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të pashembullt gjatë periudhës gjashtëvjeçare të shërbimit në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, janë përgjithmonë mirënjohës për profesionalizmin, angazhimin dhe përkushtimin e Bahadur në mbështetjen e zhvillimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, thuhet në postimin në Facebook të Ministrisë së Mbrojtjes.