Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka nënshkruar licencën e parë për një federatë të sportit, sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave. Ky është një nga angazhimet qendrore të Ministrisë së Sportit në përmbushje të njërit nga zotimet tona kryesore, fuqizimit të standardeve të qeverisjes së mirë në organizatat sportive të Kosovës.
Çeku në postimin e tij në Facebook ka thënë se pas rekomandimit pozitiv të Komisionit për licencim në kuadër të Ministrisë së Sportit, kryetarit të Federatës së Pingpongut të Kosovës, Jeton Beqiri sot zyrtarisht ia ka dorëzuar vendimin dhe licencën për ushtrimin e veprimtarisë, me afat vlefshmërie deri në fund të vitit 2024.
Përgëzime për FPPK-në, dhe shumë suksese në masivizimin dhe ngritjen e cilësisë në sportin e pingpongut në Kosovë.
Nga Komisioni për licencim u njoftova që një numër i federatave tashmë kanë dorëzuar aplikacionet për licencim, ndërsa së shpejti pritet që të dorëzohen edhe disa aplikacione të tjera.
Jemi të përkushtuar për të çuar përpara synimin tonë strategjik për më shumë integritet në sistemin tonë sportiv. Dita e sotme është datë e shënuar për sportin kosovar.