Ministria e Arsimit bën ditur se është përuruar objekti i ri me standarde bashkëkohore i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Drita” në fshatin Gramaqel të Deçanit.
Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna me këtë rast ka theksuar se, nuk ka gëzim dhe entuziazëm më të madh sesa të investosh dhe të përurosh një shkollë të re, një shkollë me hapësira të mjaftueshme mësimi dhe hapësira të tjera të nevojshme për një zhvillim cilësor të procesit mësimor dhe edukativ.
Maloku Bërdyna tha se, duke e ditur rolin e rëndësishëm që ka ambienti shkollor në mësimdhënie dhe mësimnxënie, Qeveria ka vendosur si prioritet investimin në infrastrukturen shkollore, në qytete dhe fshatra të Kosovës.
Ndër të tjera, zëvendësministrja foli edhe për rëndësinë e punës dhe përkushtimit të mësimdhënësve në mënyrë që secili prej tyre të jetë i gatshëm për t’i ndihmuar fëmijët që të shfrytëzojnë plotësisht potencialin që kanë.
Ajo uroi nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë banorët e fshatit që kjo shkollë e re të jetë motiv për mësim, punë e përkushtim, në përgatitjen e gjeneratave të cilët do të jenë kontribuesit dhe profesionistët e këtij vendi.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, komunës së Deçanit, udhëheqës të shkollës, mësimdhënës, prindër e nxënës të shumtë.
Objekti i përuruar është me sipërfaqe prej 2 mijë e 500 metra katrorë dhe ka një investim në vlerë rreth 1 milion 400 mijë euro.
Përveç dhomave të mësimit e hapësirave tipike përcjellëse, shkolla përfshinë edhe klasë për parafillorë, kabinete, sallë të edukatës fizike e terrene sportive, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.