Policia e Kosovës, në përputhje me vendimin e ri të Qeverisë dhe legjislacionin në fuqi, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, fillon shqiptimin e masës së qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në postimin e tij në Facebook fton të gjithë qytetarët të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend.
Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të ofrojë siguri dhe sundim të ligjit në gjithë vendin dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim.