Ministria e Kulturës njofton se në Kino Armata, në Prishtinë u dha premierë projekti audio-vizual “MAKTH (Ballkanik)” nga Luan Durmishi, projekt që vjen pas tri vitesh punë intensive, duke e bërë një shtrirje në kohë, nisur nga viti 1132 (referuar muzikës bizantine shqiptare), e deri tek variacionet e shtresimet kohore e kulturore që muzika moderne e sotme i bartë me vete.
Në tetë minuta sa zgjatë “MAKTH”, publiku arrin të shohë një ngjarje e cila zhvillohet në dy botë paralele. E para zhvillohet në shkretëtirë me Mbretin e zi, Udhëtarin dhe Udhëtaren. Ndërsa pjesa e dytë paraqitet në një ambient të brendshëm tejet të errët mes Shpirtit të Zi dhe Valltares së Zezë.
Në premierë ishte i pranishëm ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, deputeti, Haki Abazi, sekretari i MKRS-së Feim Hoxha, artistë e artdashës.
“MAKTH” do të shfaqet në koncerte brenda dhe jashtë vendit, si dhe do të konkurojë në festivalet e filmit dhe muzikës, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.