Save the Children njofton se do të hapet Ekspozita e Artit të Ricikluar më 20 nëntor, në Ditën Botërore të Fëmijëve. Ky aktivitet organizohet nga grupet e udhëhequra nga fëmijët “Respect Our Rights – ROR” dhe Asambletë Komunale të Fëmijëve të mbështetur nga Save the Children Kosova/o ku fëmijët synojnë të angazhohen në një diskutim të sigurt me bartësit e detyrës në nivel qendror dhe lokal dhe akterë të tjerë të cilët mund të sjellin ndryshim në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Duke vënë në pah nevojat e fëmijëve që rezultuan nga raporti “Zërat e Rinj” 2022, fëmijët u bëjnë thirrje institucioneve përkatëse për të trajtuar krizën klimatike, duke qenë se një fenomen i tillë cenon të drejtat e fëmijëve për një jetë më të shëndetshme dhe një të ardhme më të mirë.
Kjo ekspozitë zhvillohet në kuadër të fushatës globale Save the Children “Generation Hope”, e cila synon kufizimin e ndryshimeve katastrofike klimatike duke u siguruar që të drejtat e fëmijëve janë në qendër të reagimit të politikbërësve dhe vendimmarrësve. Punimet e ekspozuara janë krijuar nga vetë fëmijët duke ripërdorur letër, plastikë dhe xham.
Të ftuar në këtë aktivitet janë Sh.S. Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani; Sh.T. Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti; Ministri Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu; Zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, znj. Linda Çavdërbasha; Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, z. Habit Hajredini; Zyrtarja e Lartë për të drejtat e fëmijëve në Zyrën për Qeverisje të Mirë, znj. Qëndresë Ibra – Zariqi; përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; përfaqësues nga Komuna e Prishtinës; Sh.T. Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog; Sh.T. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, z. Jeffrey M. Hovenier; Sh.T. Ambasadori i Suedisë në Republikën e Kosovës, Jonas Vesterlund; Sh.S. Ambasadorja e Holandës në Republikën e Kosovës, Carin Lobbezoo; si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare ndërkombëtare dhe vendore.
Eventi do mbahet në Qendrën për Praktikë Rrëfyese prej orës 10:30 deri në orën 12:30. Pjesëmarrësit do ulen në mënyrë të rrumbullakët, që të zhvillohet një diskutim joformal i cili do udhëhiqet dhe moderohet nga fëmijët të cilët do i ngrisin shqetësimet e tyre në lidhje me ambientin, krizën klimatike, arsimin dhe sigurinë e fëmijëve, thuhet në komunikatën për media e Save the Children.




