Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me buxhetin e ndarë prej 8.96 milionë euro, i cili u miratua dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës dhe ka adresuar një kërkesë për rishqyrtim të buxhetit të planifikuar për RTK-në tek organet kompetente shtetërore, legjislative dhe ekzekutive.
“Buxheti prej 8.96 milionë euro (aq sa ishte edhe për këtë vit) është buxheti më i vogël që i është ndarë RTK-së në 10 vitet e fundit. Ky buxhet është më i vogël për 2.2 milionë sesa buxheti i vitit 2021, kohë kur RTK-ja qartazi keqmenaxhohej. Këtë keqmenaxhim e ka vërtetuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit në Raportin e tyre të auditimit të performancës së RTK-së për vitin 2019-2021, si dhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së për vitin 2021. Si pasojë, ndër të tjera, janë trashëguar 1.6 milionë euro borxhe, të cilat përbëjnë kërcënim konstant me bllokimin e xhirollogarive të RTK-së nga përmbaruesit”, thuhet në komunikatën e Bordit të RTK-së.
Tutje, ky organ, rikujton se kjo ndarje buxhetore përjashton mundësinë praktike të çfarëdo investimi kapital në RTK, qoftë në pajisje pune, teknologji të re, shpërndarje të sinjalit apo përmbajtje kualitative.
“Buxheti i ndarë, dhe të hyrat tjera vetanake nga marketingu, e as kursimet e planifikuara, nuk sigurojnë as plotësimin e kërkesës ligjore për kontraktim të produksioneve të pavarura, e as nuk sigurojnë shlyerjen e plotë të borxheve që janë krijuar nga menaxhmentet e kaluara ndër vite. Në RTK ka shumë pajisje që nuk janë ndërruar prej kur është themeluar RTK-ja, sepse nuk ka pasur investime kapitale për shumë kohë”, thuhet më tej në komunikatë.
Përkundër këtyre sfidave, Bordi i RTK-së ka bërë të ditur se ky vit po mbyllet pa borxhe të reja, me rritje të llogaridhënies dhe transparencës “duke kursyer në linja të ndryshme shpenzimesh, duke ristrukturuar natyrën e shpenzimeve, duke mos vazhduar kontratat e paligjshme për afër 250 bashkëpunëtorë të jashtëm”.
“Prandaj, ndonëse Bordi dhe menaxhmenti do të kujdesen në kursime tjera dhe në ristrukturim që i shërben prodhimit dhe efikasitetit, kjo nuk do të sigurojë hapësirë për investime kapitale që janë jetike për funksionimin normal të transmetuesit publik”, theksohet në komunikatë.
Bordi i RTK-së ka adresuar një kërkesë për rishqyrtim të buxhetit të planifikuar për RTK-në tek organet kompetente shtetërore, legjislative dhe ekzekutive. Në kërkesë është elaboruar në detaje se pse ky buxhet është i pamjaftueshëm për mirëfunksionimin e RTK-së, dhe nuk është në harmoni me planet e Bordit. Njëkohësisht, të njëjtit janë informuar edhe lidhur me punët dhe reformat që janë ndërmarrë si dhe me reformën e thellë që po fillon së shpejti. Por, deri më tani, Bordi i RTK-së ka thënë se nuk ka marrë asnjë përgjigje në këtë kërkesë.
”Bordi i RTK-së ka kërkuar që për vitin 2023 buxheti i RTK-së të ndahet ashtu siç është përcaktuar me Ligjin për RTK-në, konkretisht në nenin 21 dhe paragrafin 4, në mënyrë që progresi i bërë të jetë i dukshëm. Kjo kërkesë është bërë vetëm për vitin 2023 si vit tranzitor, meqë Bordi është duke finalizuar propozimet për modelet e financimit të RTK-së, ku viti 2024 synohet të jetë vit i fillimit të parapagimit dhe vetëfinancimit të transmetuesit publik, sipas ligjit të ri, i cili duhet të iniciohet sa më parë”, nënvizohet në komunikatë.
Bordi i RTK-së konsideron se që nga procesi i përzgjedhjes, proces i vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën, si dhe nga puna dhe angazhimi i deritanishëm, është krijuar një momentum i ri për RTK-në, nga i cili determinohet e ardhmja e RTK-së.
Në këtë kuadër, Bordi i RTK-së edhe njëherë i kërkon Kuvendit të Kosovës që t’i marrë parasysh kërkesat e paraqitura midis dy leximeve buxhetore, kërkesa këto të bazuara për zhvillim e RTK-së përmes investimeve kapitale dhe jo në shpenzime operative, thuhet në faqen zyrtare të RTK-së.