Policia e Kosovës, konform planifikimeve operacionale ka vazhduar angazhimet policore në zbatim të ligjit dhe të rendit kushtetues, si dhe zbatimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 28.10.2022 me Nr.05/103, i cili ka të bëjë me procesin e regjistrimit të mjeteve nga targa PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS.
Ashtu siç parashihej me vendim zyrtar nga data 1 nëntor 2022, pronarëve të mjeteve që kanë qarkulluar me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës iu është shqiptuar masa e qortimit, me udhëzimin që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, ku deri më sot (mesditë) janë shqiptuar rreth 1.740 qortime.
Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga 22 nëntor deri me datë 21 janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të fillojë zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi.
Policia e Kosovës në vazhdimësi ka përcjellë dhe vlerësuar zhvillimet në vend duke bërë vlerësime profesionale konform të cilave ka ndërmarrë masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës, thuhet në postimin në Facebook të PK-së.






