Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka pritur në takim kongresmenin amerikan, Ritchie Torres ku i ka shprehur falënderim dhe mirënjohje të thellë për gjithë mbështetjen e dhënë nga ai në Kongresin Amerikan për Kosovën, SHBA-së si vend aleat jetik dhe popullit amerikan si komb mik yni.
Mehaj e ka njoftuar kongresmenin Torres, me situatën aktuale të sigurisë në vend pas krizës në Ukrainë dhe ndikimit destabilizues rus përmes qasjes destruktive të Serbisë kundër Kosovës dhe në përgjithësi kundër paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë.
Mehaj në postimin e tij në Facebook tha se Kongresmenin Torres, e ka njoftuar edhe me të arriturat tona të përgjithshme, proceset aktuale zhvillimore si dhe synimet për të ardhmen, duke i rikujtuar kërkesën tonë për vendosjen e një baze të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë që do të shërbente si garancë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.
Ritheksova se vizioni ynë shtetëror është anëtarësimi në NATO, në aleancë të përhershme me SHBA-në, gjithmonë në mbrojtje të vlerave të lirisë, paqes dhe demokracisë.






